Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, duke folur për taksën 100 për qind të Kosovës ndaj mallrave serbe, ka thënë se është për keqardhje se si qëndrimi i Ramush Haradinajt dhe i partisë së tij për mbajtjen e taksës, nuk u mbështet nga shumica.
“Është për keqardhje se si një qendrim i drejtë i Ramush Haradinajt dhe AAK-së për mbajtjen e taksës, nuk u mbështet nga shumica! E dhimbshme se si kjo strukturë politike mbeti e vetme në betejën e saj për taksën, ani se pikërisht falë saj, u menjanua rreziku i copëtimit”, ka shkruar Nitaj në profilin e tij në Facebook.
Tutje, ai ka theksuar se lidhur me taksën nuk pati unitet brenda spektrit politik, por as në raport me partnerët strategjik.
“Keq që nuk pati unitet për këtë temë as brendpërbrenda spektit politik e as në raport me partnerët strategjik të Kosovës. Por jo gjithmonë shumica ka pasur të drejtë! Shumë herë e drejta ka qenë në anën e pakicës dhe jam i bindur se kështu do të dalë edhe me këtë rast, por pasojat do të mbeten fatkeqësisht!”, ka përfunduar nënkryetari Nitaj./GazetaSinjali/