image Nenad Rashiq pre e linçimit nga Serbia, heziton të deklarohet për çështjet e brendshme politike në Kosovë

Kosovë

Politikë/ Nenad Rashiq pre e linçimit nga Serbia, heziton të deklarohet për çështjet e brendshme politike në Kosovë

news image

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq po përballet me një fushatë agresive nga Serbia për shkak të mendimeve të tij të lira të shprehura për zhvillimet në Kosovë dhe kundërshtimit të hapur politik ndaj Listës serbe e cila konsiderohehet si subjekt politik i dirigjuar komplet nga Beogradi zyrtar.

Rashiq, i cili në zgjedhjet e fundit në Kosovë ishte kandidat për kryeministër nga koalicioni serb “Slloboda” (Iliria), së fundi ka qenë pre e kërcënimeve, linçimit dhe etiketimit nga Serbia, gjë që duket se kanë ndikuar që  të jetë më i rezervuar në shprehjen e mendimeve të tij.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar sot me politikanin serb për të marr një qëndrim politik të tij lidhur me ndalimin e dy pjesëtareve serbë të FSK-së nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar në Jarinje.

Por, Rashiq ka bërë të ditur se ndonëse ka qëndrim për këtë çështje parapëlqen të mos flas, për shkak të keqinterpretimit nga mediet e Serbisë.

“Edhepse gjithmonë kam qenë i hapur për gazetarët, por këto ditë po dëshiroj me i shmang deklaratat sepse po keqpërdoren pastaj nga mediet serbe. Kërkoj falje për mungesën e deklaratës por nuk mundem tash për momentin”, ka thënë për Gazetën Sinjali, Nenad Rashiq.

Dy pjesëtaret serbë të FSK-së u ndaluan nga autoritetet serbe të shtunën e kaluar për disa orë, në pikëkalimin kufitar në Jarinje si formë e presionit për integrimin e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar Ministria e Mbrojtjes e Kosovës e cila e ka dënuar sjelljen e autoriteteve të Serbisë. Zëvendësministri Burim Ramadani ka thënë se Serbia me këtë qasje  vetëm se po dëmton dhe maltreton serbët e Kosovës ngase sipas tij  Kosovën nuk mund ta ndalë si të tillë.

Para zgjedhjeve në Kosovë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i ka quajtur tradhëtarë partnerët e koalicionit serb “Slloboda” (Iliria) që kishin kandidat për kryeminitër Nenad Rashiqin.

Vetë Rashiq ka deklaruar se fjalët dhe mekanizmat e presidentit serb shkojnë deri në dhunë fizike. Ai ishte ankuar edhe për kërcënime dhe presione nga Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi Zyrtar.

Pas deklaratave të kandidatit për kryeministër Nenad Rashiq, se po kërcënohen nga Beogradi, ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut duke kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të fillojë hetimet zyrtare në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i jetës së Rashiqit dhe serbëve tjerë që janë në listën e linçimit verbal. /Gazeta Sinjali/