6 anëtarë të familjes Lala ndodhen ende nën rrënoja. Prej më shumë se 24 orësh po tentohet nxjerrja e tyre.
Nëna me 3 fëmijët e saj, dy binjakët rreth 2 vjeç dhe djalin pak më të madh, ndodhen ende aty, nuk dihet nëse ende gjallë.
Ndërsa babai Albert Lala, i sapokthyer nga Italia, ndjek prej shtëpisë përbri të gjithë operacionin.
Në shtëpinë Lalaj jetonin 3 familje. Në momentin e tërmetit aty ndodheshin 9 persona. Gjyshja Sadete u nxorr të martën e vdekur, së bashku me mbesën Amelia.
Ndërsa Rama 17-vjeçar, pas 7 orësh u arrit të nxirrej i gjallë nga zjarrfikësi Nadir Kapaj.
“Ka qenë një situatë shumë e vështirë, nuk e kishim përjetuar ndonjëherë. Kemi nxjerrë dy të pajetë dhe një djalë që kishte mbijetuar. Ka boshllëqe ku mund të hyjë ajri dhe njerëzit marrin oksigjen, kështu që ka shpresa”, tha ai.
Nën rrënoja janë edhe Iliri, djali i paralizuar i familjes dhe Griselda, motra e të mbijetuarit Ramë. Për gjetjen e tyre po punojnë ekipet zjarrfikëse italiane: “Ka ende kohë, në Akuila kemi shpëtuar njerëz që kishin 72 orë nën rrënoja. Gjithmonë punojmë me objektivin për të shpëtuar njerëz”.
160 zjarrfikës italianë nga zona e Toskanës janë shpërndarë nga zonat e prekura nga tërmeti. Të tjerë priten në orët në vijim. Teknologjia dhe qentë e trajnuar për të gjetur njerëzit nën rrënoja, po i vijnë në ndihmë.