image Nën përfaqësimin me fusnotë, Kurti nga BE kërkon liberalizimin e vizave

Politikë

Nën përfaqësimin me fusnotë, Kurti nga BE kërkon liberalizimin e vizave

news image

Sot në Bruksel është mbajtur takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ku Kurti e ka përfaqësuar Kosovën me fusnotë dhe jo me emrin kushtetues Republika e Kosovës.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti është takuar me shefin e Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, komisionarin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Gjatë këtyre takimeve, i pari i Qeverisë ka përsëritur kërkesën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke thënë se i kanë përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme, shkruan Gazeta Sinjali.

“Kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe besojmë që BE-ja të lëvizë para. Integrimi në BE nuk ka alternativë. Ne jemi të motivuar të vazhdojmë reformat tona transformuese në bashkëpunim të ngushtë me BE-në”, ka thënë Kurti.

Dialogu mes Kosovës e Serbisë ishte temë e paevitueshme e këtij takimi, por edhe bashkëpunimi mes Kosovës e BE-së.

Gjatë një konference për media, Kurti hasi në kundërshtim te Borrell, në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe.

Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Dy të tretat nuk janë zbatuar nga Serbia, por gjithmonë, Serbia kërkon zbatimin e vetëm njërës prej tyre, e cila nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Është koha të kemi një dialog kur qytetarët janë përfituesit dhe jo politikanët. Kemi nevojë për një karakter diplomatik të dialogut që njerëzit të përfitojnë nga ai”, deklaroi Kurti.

Pavarësisht kësaj Borrell ia përsëriti kryeministrit Kurti nevojën për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin. “Nuk pajtohem me juve që Gjykata Kushtetuese e bënë të pamundur implementimin e Asociacionit. Më vjen keq kryeministër, por më duhet t’iu kërkoj vazhdimisht implementimin e kësaj marrëveshje”, tha Borrell.

Borrell tha se nuk mund të ketë takim të ri të nivelit të lartë në dialog, derisa palët nuk kanë vullnet për rezultate konkrete.

/GazetaSinjali/