image Në veri shfaqen mesazhe kundër vendimit për targat dhe dokumentet

Kosovë

Në veri shfaqen mesazhe kundër vendimit për targat dhe dokumentet

news image

Në veri të Kosovës, dy ditë para nisjes së zbatimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa me emra të qyteteve të Kosovës dhe lëshimit të një dokumenti për hyrje-dalje për shtetasit serb, u shfaqën disa pankarta dhe fletushka me mesazhin: “Nuk ka dorëzim, letërnjoftimet serbe do të mbeten”.

Po ashtu, harta e Kosovës, e ngjyrosur me ngjyrat e flamurit serb është parë në veri të Kosovës dhe mbi të është shkruar “jo dorëzim”, për të kundërshtuar vendimin e 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, për shtetasit e Serbisë, që hyjnë në territorin e Kosovës.

Kosova ka thënë se një dokument të tillë, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, Serbia ua lëshon shtetasve të Kosovës që 11 vjet.

Paraprakisht, më 13 korrik, në Mitrovicën e Veriut, në targat RKS (Republika e Kosovës) u mbuluan me letra ngjitëse me targat KM – që lëshohen nga Serbia – dhe me stemën e Serbisë, ndërsa disa ditë më pas, nëpër makina u panë fletushkat me mesazhin “Jo dorëzim, KM mbetet”.

Kosova i konsideron të jashtëligjshme targat me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia.

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, qytetarët që kanë makina me targa serbe mund t’i riregjistrojnë ato deri më 30 shtator. Vendimi do të vlejë për të gjitha veturat e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti.

Çështja e targave kishte rritur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit 2021. Kosova vendosi masën e reciprocitetit ndaj makinave me targa serbe që hynin në Kosovë, duke kërkuar që shoferët të mbulonin simbolet shtetërore në targa me letra ngjitëse. Ky vendim shtyri serbët lokalë të bllokonin për dy javë pikëkalimet kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, shkruan REL.

Pas ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, tensionet u ulën dhe palët u pajtuan për një zgjidhje të përkohshme për targat. Por, pas skadimit të afatit për të arritur një marrëveshje për targat, dy palët kanë vazhduar regjimin e letrave ngjitëse.

/GazetaSinjali/