Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, të enjten tha se Gjermania do të mbyllë një pjesë të madhe të jetës publike në zonat ku spitalet janë mbushur me pacient të infektuar me COVID-19.
Ajo shtoi se këto zona do të jenë të lejuara vetëm për personat që janë vaksinuar ose që e kanë kaluar sëmundjen.
Merkel tha se ky veprim është i nevojshëm për ta penguar valën e katërt “shumë shqetësuese” të pandemisë, që po i stërngarkon spitalet, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Sinjali.
“Shumë nga masat që tani janë të nevojshme nuk do të ishin të nevojshme, nëse më shumë njerëz do të ishin vaksinuar dhe nuk është shumë vonë për t’u vaksinuar tash”, tha kancelarja në largim.
Në vendet ku shkalla e hospitalizimeve kalon një nivel të caktuar, qasja në ngjarje publike, kulturore e sportive dhe hyrja në restorante do të lejohet vetëm për personat e vaksinuar dhe ata që e kanë kaluar Covid-in.
Kancelarja Merkel tha se qeveria federale gjithashtu do të shqyrtojë një kërkesë të qeverive rajonale për miratimin e legjislacionit që u lejon të kërkojnë vaksinim të detyrueshëm për punëtorët e spitaleve dhe qendrave të kujdesit.
Saksonia, rajoni më i goditur nga vala e katërt, po e shqyrton mbylljen e teatrove, sallave të koncerteve dhe ndeshjeve të futbollit, raportoi gazeta “Bild”. Ndërkaq rajoni lindor gjerman e ka shkallën më të ulët të vaksinimit në vend. /GazetaSinjali/