image Në ShBA po hetohet si i shënjestron Instagrami fëmijët

Aplikacione

Në ShBA po hetohet si i shënjestron Instagrami fëmijët

news image

Një grup i shteteve amerikane është duke hetuar si i shënjestron fëmijët rrjeti social, Instagram.

Ky grup i përbërë nga shtetet demokrate dhe ato republikane është duke hetuar Instagramin dhe kompaninë amë të Facebookut, Meta, për të kuptuar nëse janë shkelur ligjet për mbrojtje të konsumatorit.

Ky vendim është marrë pasi informatorja Frances Haugen, ka dëshmuar në Shtetet e Bashkuara se vetë kompania e di që produktet e saj mund t’i dëmtojnë fëmijët.

Një zëdhënës i kompanisë Meta, ka mohuar se platformat e saj janë të pashëndetshme.

Prokurorja e Përgjithshme në Masaçusets, Maura Healey, demokratja e parë që ka bërë të ditur hetimin, ka thënë përmes një postimi në Twitter se “Facebook, ose Meta, e ka ditur se Instagrami është i lidhur me depresion, çrregullime në ushqim dhe vetëvrasje në mesin e fëmijëve të vegjël”.

“Ne do të identifikojmë nëse ndonjë ligj është shkelur dhe t’i japim fund abuzimit”.

Prokurori i Përgjithshëm nga Nebraska, Doug Peterson, republikan, ka thënë se kompanitë “trajtojnë fëmijët tanë thjesht si mallra për të manipuluar për mbajtje më të gjatë para ekranit dhe nxjerrjen e të dhënave”.

Këto platforma të rrjeteve sociale janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe është vërtetuar se shkaktojnë si dëm fizik ashtu edhe mendor te moshat e reja”, ka thënë Prokurorja e Përgjithshme e New Yorkut, Letitia James.

Facebook, që ka në pronësi edhe platformat tjera, Instagram dhe WhatsApp, e ka ndryshuar emrin në Meta, muajin e kaluar, pas një serie skandalesh.

Një zëdhënës i kompanisë Meta ka hedhur poshtë pretendimet e bëra.

Këto akuza janë të rreme dhe demonstrojnë keqkuptime të thella për faktet”, ka thënë zëdhënësi përmes një deklarate.

Ndonëse sfidat për mbrojtje të të rinjve në platformat online ndikojnë në gjithë industrinë, ne jemi liderë të industrisë në luftim të ngacmimeve dhe mbështetje të njerëzve që përballen me mendime për vetëvrasje, dëmtim të vetes dhe çrregullime në ushqim”, ka shtuar ai.

Ky njoftim vjen pas një serie të raportimeve të bazuara në dokumentet e publikuara nga ish-punëtorja e Facebook-ut, Frances Haugen.

Gjatë dëshmisë para ligjvënësve në Shtetet e Bashkuara, ajo ka thënë se kompania me qëllim ka shtyrë përpara platformat e saj te adoleshentët, pavarësisht se e ka ditur që mund të shkaktojnë probleme shëndetësore. /REL/

Në muajin shtator, kjo platformë ka braktisur planet për të krijuar një aplikacion me fokus te fëmijët, pasi një grup prej mbi 40 prokurorëve shtetërorë ka kërkuar anulimin e tij.

Instagram, sikurse platformat tjera, u kërkojnë përdoruesve të jenë mbi 13 vjeç, mirëpo kompania e ka pranuar se e di që disa përdorues janë më të rinj. /GazetaSinjali/