Kamuflimi
Policia e Kosovës po tenton ta kamufloj skandalin e të shtënave masive me armë zjarri, gjatë ahengut të organizuar në Bjeshkën e Bellas në Deçan, me rastin e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të kësaj komune.
Kjo skenë e gjuajtjeve të pakontrolluara me armë, ishte bërë në praninë e kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, vëllait të tij, ish-deputetit Daut Haradinaj dhe pjesëtareve të policisë së Kosovës.
Por, zyrtarët policorë, mbi kokat e të cilëve ishin shkrepur breshëri plumbash nga kallashët e armët tjera, kishin mbyllur sytë ndaj kësaj ndodhie duke mos ndërmarr asnjë veprim ligjor në përputhje me detyrën e tyre zyrtare.
Ky mosveprim kishte zgjatur prej 26 qershorit deri në mesin e muajit gusht, kur Gazeta Sinjali publikoi videot duke raportuar ekskluzivisht për këtë ngjarje.
Pas rritjes së presionit publik, Prokuroria e Pejës njoftoi për fillimin e hetimeve, por më pas ky institucion për një muaj zgjodhi heshtjen duke mos kthyer përgjigje ndaj Gazetës Sinjali lidhur me ecurinë e hetimit. Pas publikimit të shkrimit të radhës për heshtjen e institucioneve relevante karshi kësaj ngjarje, Policia e Pejës njoftoi se ka bërë intervistimet e para.
Përkundër faktit se vetëm në videot e publikuara nga Gazeta Sinjali, lehtësisht identifikohen së paku shtatë persona duke gjuajtur me armë zjarri, për habi, policia pas një muaj hetimesh, sa për ta kamufluar situatën, së fundi ka njoftuar se ka intervistuar vetëm dy të dyshuar dhe ua ka sekuestruar atyre dy armë. Madje, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar me vendim të prokurorit ndërsa Gazeta Sinjali merr vesh nga burimet se njëra prej dy armëve të dorëzuara në polici është me gas.
Për ironi, dhjetëra përdoruesit e paligjshëm të armëve, të cilët kanë shtënë në prani të policisë nuk janë identifikuar e arrestuar ende ndërsa në anën tjetër policia ka filluar një fushatë për legalizimin e armëve pa leje duke paralajmëruar masa ndaj atyre që nuk i dorëzojnë ato.
Dështimi
Zyrtarët policorë të pranishëm në këtë ngjarje, kanë dështuar t`i kryejnë obligimet e tyre ligjore.
Ata nuk kanë arritur t`i identifikojnë armëmbajtësit pa leje dhe t`i shoqërojnë në polici, kanë dështuar t`i analizojnë provat të cilat kanë dalë sheshazi në publik përmes videomaterialeve, ku shihen të paktën 7 persona duke gjuajtur me armë ndërkohë që ende nuk janë intervistuar dëshmitarët.
Me heshtjen e tyre, zyrtarët policor kanë kryer vepër penale për mos lajmërim të rastit.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënim për të gjithë ata që nuk i lajmërojnë rastet në polici, për të cilat kryerësit e tyre duhet të përgjigjen para ligjit.
Vepra penale: “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” qartëson se: “Kushdo që është në dijeni për identitetin e kryesit të një apo më shumë prej veprave penale në vijim dhe nuk e lajmëron faktin e tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.
Nënshtrimi
Në ngjarjen “Me kallash e sharkia ja sesi festoi Qeveria” ku janë shkrepur rafalë plumbash nga armëmbajtësit pa leje, siç shihet në dëshminë e publikuar nga Gazeta Sinjali, kanë qenë të pranishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj, vëllai i tij deputeti, Daut Haradinaj dhe një varg zyrtarësh tjerë të shtetit.
Në përgjigjen e policisë përveç: kamuflimit të rastit dhe dështimit të trajtimit me seriozitet të kësaj çështjeje nga ana e policisë vërehet edhe elementi i nënshtrimit përballë autoriteteve politike të pranishme në këtë aktivitet.
Policia deri më tash nuk ka arritur ta intervistojë as kreun e Qeverisë e as deputetin e AAK-së, duke u nënshtruar përballë ndikimit politik. Kjo sjellje e policisë karshi shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, në praninë e autoriteteve të pushtetshme provon më së miri atë që shumica druajnë për pabarazinë e qytetarëve para ligjit dhe mumgesën e zbatimit të shtetit ligjor dhe të së drejtës për të gjithë pa dallim.
“Kurbanët” e Ahengut
Dy “kurbanët” e vetëm të ndejës të cilët janë intervistuar në polici, mund të gjykohen për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” parasheh këto dënime: 1. Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet. 2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni përfshin më shumë se katër (4) armë ose më shumë se katërqind (400) fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet. 3. Arma në pronësi, kontroll apo posedim në kundërshtim të këtij neni konfiskohet.
Ndërsa, vepra penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, parasheh: 1. Kushdo që përdorë armë apo materie plasëse në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët apo materiet plasëse të tilla, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet. 2. Kushdo që përdor armën apo mjetin e rrezikshëm në mënyrë kërcënuese ose frikësuese, dënohet me gjobë deri në dhjetëmijë (10.000) Euro dhe me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet. 3. Arma apo mjeti i rrezikshëm i përdorur në kundërshtim të këtij neni konfiskohet. /Gazeta Sinjali/