Në disa fshatra të Rahovecit janë evakuuar disa familje, pasi si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut janë vërshuar shtëpitë e tyre, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, derisa ka bërë të ditur për evakuimin e familjeve ka kërkuar që qytetarët të kenë durim dhe gjithashtu ka premtuar ndihmë.
“Ju lusim për durim, pa panik jemi bashkë. Në këto orë të vona, tashmë kur situata nuk është edhe aq e mirë për shkak të problemeve që po na sjellin reshjet, e sidomos në Sapniq, Fortesë, Ratkoc etj…, më lejoni t’ju informoj se jemi duke bërë çdo gjë të mundshme për t’ju dalë në ndihmë. Dy familje janë evakuuar sonte nga fshati Sapniq, po ashtu edhe dy familje nga fshati Fortesë, disa familje edhe nga fshati Pataqan i Poshtëm, e tëra kjo pasi shtëpitë e tyre janë vërshuar si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut”, ka shkruar Latifi orë më parë në Facebook.
Ndërkohë ai ka treguar se gjatë natës ekipet komunale kanë qenë në terren për të intervenuar në terrenet e vërshuar.
“Ndryshe, ekipet komunale të gjitha niveleve janë në terren të përgatitur për secilin intervenim të mundshëm. Ju lutem pa panik, reshjet pritet të pushojnë në orët e hershme të mëngjesit, deri atëherë kemi nevojë për bashkëpunimin tuaj që bashkë ta tejkalojmë edhe këtë situatë”, ka shkruar Latifi.