Në Qendrën e Numërimeve dhe të Rezultateve ka filluar rinumërimi i rreth 292 vendvotimeve që u takojnë Zgjedhjeve Lokale për kryetarë të Komunave që u mbajtën më 17 tetor.
Zëdhënësi i Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi tha se KQZ ka marrë vendim për rinumërim të vendvotimeve pasi ka mospërputhje të votave të subjekteve politike me ato të kandidatëve.
“Ju njoftoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi për rinumërimit e rreth 300 vendvotimeve që u takojnë Zgjedhjeve Lokale për Kuvende Komunale të cilat u mbajtën më 17 tetor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin e këtyre vendvotimeve pasi ka mospërputhje të votave të subjekteve politike me ato të kandidatëve”, ka thënë ai.
Po ashtu ai shtoi se rinumërimi i këtyre vendvotimeve mund të marrë kohë disa ditë, dhe KQZ-ja do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të Komunave.
“Pra, në disa raste subjektet politike kanë vota, por jo edhe kandidatët, apo edhe anasjelltas, kur kandidatët kanë vota dhe subjektet politike nuk kanë vota. Rinumërimi i tyre mund të marrë kohë disa ditë dhe pas përfundimit të tij, nëse nuk do të ketë rinumërim tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mund të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvende Komunale” ka shtuar Elezi.
Komunat me më së shumti vendvotime që do të rinumërohen janë Prishtina 40, Prizreni 25, Peja 20 dhe Podujeva 19. /GazetaSinjali/