Kirurgët e Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare në QKUK bashkë me anesteziologët e Klinikës së Anestezionit kanë realizuar një operacion të rrallë, i cili është bërë një 71-vjeçareje për herë të parë në Kosovë.
Ata kanë kryer me sukses një ndërhyrje shumë komplekse kirurgjike për ta trajtuar zgjerimin enorm të arteries karotide të brendshme në qafë, sëmundje kjo e cila është shumë e rrallë dhe rrezikon jetën, shkruan Gazeta Sinjali.
“Sëmundja është shumë e rrallë, sipas evidencës në librat e Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare kjo është ndërhyrja e parë e këtij lloji e realizuar në Kosovë. Nëse nuk trajtohet aneurizma e arteries karotide të brendshme në qafë është e shoqëruar me një rrezik të lartë për sulm në tru, ndërsa e rupturuar me një rrezik të lartë për vdekje”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Pacientes 71 vjeçare, e cila është ankuar për një të ënjtur në anën e majtë të qafës, ndjenjë të shtypjes, pengesa në përpirje dhe ka treguar për një sulm iskemik të kaluar në tru, i është larguar zgjerimi aneurizmatik, ndërsa arteria është riparuar me lidhje të drejtpërdrejt.
Pacientja ka qëndruar një natë në Njësinë e Mjekimit Intenziv, ndërsa në ditën e 5-të pas operacionit është liruar nga spitali. /Gazeta Sinjali/