image Në qeverinë e re planifikohet të bëhet një superministri

Kosovë

Plani/ Në qeverinë e re planifikohet të bëhet një superministri

news image

Koalicioni ndërmjet LVV-së dhe LDK-së pritet që ta zvogëlojë në 12 numrin e ministrive, nga 21 sa ishin në qeverinë Haradinaj.

Shumë ministri do të bashkohen në një, ndërsa Ministria e Zhvillimit Ekonomik mund të jetë superministri gjigante, shkruan Gazeta Sinjali.

Kështu edhe është plani i partive që po synojnë ta formojnë qeverinë e re. Për detajet e fuzionimit të disa ministrive që e bëjnë një superministri ka folur në një intervistë për KosovaPress, nënkryetari i LVV-së, Besnik Bislimi.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të jetë Ministri në veti, por Ministri të tjera do të bashkohen me të. Për shembull, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të bashkohet më të, sipas njërit prej versioneve. Ministra e Punës, jo e Mirëqenies Sociale, por vetëm e Punës. Po ashtu edhe një pjesë e Ministrisë së Inovacionit. Po ashtu një pjesë e Ministrisë së Diasporës që merret me investime strategjike. Do të thotë kjo Ministri do të bëhet një super ministri… Ministria e Inovacionit kalon tek Ministria e Arsimit dhe roli primar si Ministri nuk është, por si departament e ka për t’i mbështetur hulumtimet shkencore”, ka thënë Bislimi.

Ai tha se momentalisht kanë shumë pak dallime me LDK-në, për të cilat ka mbetur të arrihet dakordim.

LVV dhe LDK janë duke zhvilluar takime të vazhdueshme, në përpjekje për harmonizimin e programit qeverisës. Këto dy parti synojnë që ta krijojnë qeverinë e re, ku kryeministër pritet të jetë kryetari i LVV-së, Albin Kurti. /Gazeta Sinjali/