image Bie numri i familjeve me asistencë sociale në Kosovë gjatë pandemisë

Sociale

Bie numri i familjeve me asistencë sociale në Kosovë gjatë pandemisë

news image

Pandemia e krijuar nga virusi COVID-19 dhe situata ekonomike që ka shkaktuar ajo, ‘çuditërisht’ nuk e kanë rritur numrin e familjeve që marrin asistencë sociale. Këtë vit përfitues të skemës sociale janë 235 familje më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, raporton Gazeta Sinjali.

Selvete Sadiku, udhëheqëse e Divizionit të Ndihmave Sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë për Gazetën Sinjali se në muajin korrik të vitit 2020 përfitues të skemës së ndihmave sociale janë 24,373 familje me 98,725 anëtarë, që është numër më i vogël krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, korrik 2019, kanë qenë 24,608 familje me 100,427 anëtarë, shfrytëzues të skemës së ndihmave sociale. Në të njëjtën periudhë  me vitin e kaluar kemi rënie të shfrytëzuesëve të skemës sociale për 235 familje të cilat kanë rënë nga skema për shkak të kritereve të përcaktuara me ligj, por edhe që kanë përmirësuar kushtet e jetesës”, ka thënë Sadiku.

Aktualisht, Komuna e Mitrovicës ka numrin më të madh të familjeve që përfitojnë nga kjo skemë me mbi 2 mijë familje. Pas saj listohet Komuna e Vushtrrisë me mbi 1,000 familje, e cila pasohet nga Komuna e Lipjanit me 1,246 familje.

Sipas Sadikut, pagesa e asistencës varet nga numri i anëtarëve të familjes. Familjet me një anëtar paguhen 60 euro, ndërsa familjet me 15 anëtarë paguhen 180 euro. /Gazeta Sinjali