Muhamet Vishaj, i dënuar me 15 vjet burgim për dy vrasje, e ka përfunduar dënimin dy vjet para kohës, falë një dekreti të presidentit Hashim Thaçi.
Thaçi ka vendosur që t’ia falë dy vjet burgim Muhamet Vishajt, të cilit Gjykata Supreme në shtator të vitit 2012 ia kishte vërtetuar aktgjykimin prej 15 vitesh burgim, raporton Gazeta Sinjali.
Trupi gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe tre vendas, i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it, e kishte vërtetuar aktgjykimin kundër Muhamet Vishajt në rastin e vrasjes.
Gjykata Supreme e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar në emër të Vishajt, duke e vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.
Muhamet Vishaj fillimisht ishte dënuar me 15 vjet burgim nga Gjykata e Qarkut në Pejë për vrasjen e Luan Vishajt dhe Dan Kilajt në tetor të vitit 1999 në rrugën Deçan-Llukë.
Rastin e kishte ndjekur penalisht një prokuror vendas nga Prokuroria e Shtetit e Kosovës
Gazeta Sinjali raportoi se Thaçi i ka falur shtatë të burgosur me një dekret të nxjerrë para pak ditësh. /Gazeta Sinjali