image Në Listën e Zezë të ShBA-së, kush janë biznesmeni shqiptar Ylli Ndroqi dhe ish deputeti Aqif Rakipi?

Shqipëri

Në Listën e Zezë të ShBA-së, kush janë biznesmeni shqiptar Ylli Ndroqi dhe ish deputeti Aqif Rakipi?

news image

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpalli sanksione ndaj ish-deputetit Aqif Rakipi, aleat i shumicës socialiste, si dhe pronarit të televizionit Ora News, Ylli Ndroqi për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi të hënën se kishte vendosur sanksione ndaj ish-deputetit të Elbasanit, Aqif Rakipi dhe pronarit të televizionit Ora News, Ylli Ndroqi.

Në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Rakipi përshkruhet si një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri.

“Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar”, thuhet në njoftim, ku shtohet se ish-deputeti ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të emëruar zyrtarë publikë në Elbasan dhe në Tiranë.

Aqif Rakipi e humbi mandatin e deputetit në vitin 2018 si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, pasi nuk kishte deklaruar një procedim në Itali për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur. Por në zgjedhjet e fundit parlamentare të zhvilluara më 25 prill 2021, djali i tij, Ornaldo Rakipi u zgjodh me një numër surprizë votash deputet i Partisë Socialiste në Tiranë.

Ndërkohë, biznemeni Ylli Ndroqi, i përfshirë në fushën e medias akuzohet se “ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qenë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media”.

Sipas njoftimit, Ndroqi akuzohet gjithashtu se ka “ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri”.

Mediat e Ndroqit ndodhen aktualisht nën administrim shtetëror pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme.

Sanksione të ngjashme janë ndërmarrë edhe ndaj ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski dhe disa zyrtarëve të tjerë në Bosnje Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

“Personat e përcaktuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin në institucione dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike dhe të shëndoshë në Ballkanin Perëndimor”, tha nën-Sekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken i mbështeti sanksionet përmes twitterit, ku deklaroi se masat e marra nga Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit kishin në fokus aktorë në Ballkanin Perëndimor të përfshirë në “aktivitete destabilizuese dhe korrupsion”.

Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi nuk janë të parët personazhe që sanksionohen nga SHBA. Një vit më parë, Departamenti i Shtetit shpalli “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha dhe i ndaloi hyrjen në ShBA familjes së tij. E njëjta masë është marrë më herët edhe ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, ish-deputetit Tom Doshi si dhe ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, raporton reportel.al.

Si rezultat i vendimit të Departamentit të Thesarit, të gjitha pronat apo interesat në prona të individëve apo subjekteve të përcaktuar që ndodhen në Shtetet e Bashkuara ose në kontroll të personave amerikanë duhet të bllokohen ose të raportohen në Zyrën e Kontrollit të Aseteve të Huaja, OFAC. Megjithatë, qëllimi përfundimtar i sanksioneve nuk është ndëshkimi, por ndryshimi pozitiv në sjellje në vendet ku ato aplikohen.

/GazetaSinjali/