image Numri i madh i aksidenteve/ Në Kosovë janë aktivë vetëm 35 inspektorë të punës

Sociale

Numri i madh i aksidenteve/ Në Kosovë janë aktivë vetëm 35 inspektorë të punës

news image

Gazeta Sinjali vazhdimisht ka raportuar për kushtet e pafavorshme në të cilat punojnë punëtorët në Kosovë, sidomos ata të sektorit privat, gjë që shpesh ka përfunduar me lëndime e nganjëherë edhe me vdekje.

Në numrin e madh të aksidenteve që ndodhin në vendin e punës ndikon edhe mungesa e inspektorëve të punës, numri i të cilëve është tejet i vogël krahasuar me bizneset e shumta që ndodhen në Kosovë.

Zëvendëskryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Agim Millaku, në një intervistë për EO tha se kanë të angazhuar 35 inspektorë që bëjnë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve në gjithë territorin e Kosovës.

Tani për tani i kemi 35 inspektorë që ushtrojnë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve në gjithë territorin e Kosovës. Prej 35 inspektorëve, 8 i kemi serbë, 27 të tjerë janë shqiptarë. Është numër i vogël krahasuar me numrin e madh të bizneseve dhe problematikave që shtrohen para shoqërisë tonë në raport me punëdhënës dhe punëmarrës, por edhe nga siguria dhe shëndeti në punë. Shkeljet e punëtorëve janë nga më të ndryshmet. Por problemi më i madh është shkelja e të drejtave nga siguria dhe shëndeti në punë, sepse aty atakohet jeta dhe shëndeti i punëtorëve në punë. Për momentin ligji ka përcaktuar shkallën e gjobave, ku inspektorët e kanë të drejtën e shqiptimit të gjobave”, tha Millaku.

Tutje, ai shtoi se palët e pakënaqura me vendimet e Inspektoratit të Punës mund të dërgojnë rastin në gjykatë.

Numri më i madh i aksidenteve rezulton të jetë nga sektori i ndërtimtarisë, andaj Millaku kërkon më shumë përkrahje nga Qeveria e Kosovës.

Rastet në gjykatë shkojnë me konflikt administrativ, palët e pakënaqur me vendimet e inspektorëve të punës mund të ngrisin rastin në gjykatë. Kur ka raste të lëndimeve në punë dhe elemente të veprave penale, atëherë raportin e përcjellim në prokurori dhe prokurori është ai që vendos a të vazhdohet më tutje. Që nga fillim i punës e deri tek përfundimi i punës i shkelet e drejta punëtorit. Ne kemi problematikën kryesore sepse numri më i madh i aksidenteve ka rezultuar të jetë nga ndërtimtaria. Por nuk do të thotë që nuk kemi rrezik potencial edhe në veprimtari të tjera qoftë në prodhim, qoftë tregti e transport që nuk përjashtohet mundësia e aksidenteve. Nga Qeveria kërkojmë përkrahje më të madhe dhe kanë një synim të mirë në kuptimin e ndihmës në konsolidimin e inspektoratit të punës në tersi”, tha ai.

/GazetaSinjali/