image Në këto komuna ka rënie të numrit të personave të infektuar me COVID-19 deri në 30 për qind

Shëndetësi

Në këto komuna ka rënie të numrit të personave të infektuar me COVID-19 deri në 30 për qind

news image

Numri i të infektuarve me koronvirus në tri javët e fundit ka shënuar rënie nga 10 deri në 30 për qind. Komunat me popullsinë më të madhe po shënojnë numër më të madh të të infektuarve për dallim nga komunat e vogla.

Kështu ka bërë të ditur, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili ndër të tjera tregon se situata është e menaxhueshme në nivelin lokal.

“Numri i të infektuarve nga COVID-i është në rënie e sipër. Dhe është konstatuar që në nivelin lokal kjo përqindje është prej 10-30 për qind, varësisht prej komunave. Por, shihet që në komunat e mëdha niveli apo përqindja e të infektuarve në raport me komunat e mesme apo të vogla është pak më i ngritur. Por situata në nivel lokal është e menaxhueshme. Këtë e kanë konstatuar edhe kryetarët e komunave, por edhe drejtorët komunalë të shëndetësisë, të cilët kanë punuar shumë që të mos ngarkojnë qendrën kryesore spitalore”, tha ai.

Ibrahimi thotë se kanë diskutuar idenë e lehtësimit të masave, por pasi që më 14 shtator pritet fillimi i vitit të ri shkollor, komiteti antiCOVID-19 ka vendosur që masat tani për tani të mos lehtësohen. Megjithatë ai tregon se pas dy apo tri jave do të rishikohen këtë masa.

Ndër tjera, ai tregon se komunat janë të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor. Nëse një shkollë në një komunë të caktuar nuk i plotëson kriteret, Ibrahimi thotë se nuk do të bllokohet mësimi në tërë territorin.

 “Është konstatuar që do të jetë një mostër nga 1000 deri në 1500 mësimdhënës në tërë territorin e Kosovës, duke e ndarë në kuptimin si shtatë rajone. Nga dy në tri komuna në një rajon do të testohen. Listat do të dërgohen nga Drejtoria e Arsimit. Varësisht nga komuna, nga 50 deri në 80 apo 100 mësimdhënës do të testohen. Dhe në përgjithësi do të testohen rreth 1500 nga mbi 20 mijë mësimdhënës në Kosovë, në mënyrë që të gjendet një përqindje se sa mund të jetë numri i mësimdhënësve të infektuar”, shprehet Ibrahimi.

Që nga shpërthimi i pandemisë më 13 mars, në Kosovë janë konfirmuar mbi 14 mijë persona të infektuar, prej tyre mbi 10 mijë janë shëruar, ndërsa 563 kanë humbur betejën.

/GazetaSinjali/