image Në karantinë që nga dje, flasin personeli i ambulancës në Viti

Kosovë

Deklaratë/ Në karantinë që nga dje, flasin personeli i ambulancës në Viti

news image

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, 11 mjek e infermierë që nga dita e djeshme janë izoluar në një prej dhomave të kësaj qendre. Kjo pasi që kanë qenë në kontakt me ambientin ku është trajtuar 77-vjeçari, i infektuar me koronavirus.

Në mesin e këtij personeli mjekësor, e izoluar është edhe doktoresha Vjollca Kadolli.

Kadolli në një prononcim për Gazetën Sinjali, ka thënë se gjendja e stafit është e mirë dhe deri më tani asnjëri nga ta nuk ka shfaqur simptoma të koronavirusit.

“Gjendja e stafit mjekësor është e mirë. Nuk kemi lëvizur nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Tërë natën kemi ndejtë në një dhomë. Sapo fola me doktoreshën, s’ka asnjë rast të dyshuar, pra gjendja është e mirë. Edhe neve do të na bëhen testet, pavarësisht se ne s’kemi pas kontakt me pacientin në fjalë, por vetëm me ambientin. Asnjëri prej nesh s’ka shfaq simptoma. Është bërë edhe dezinfektimi i krejt objektit”, ka thënë ajo.

Gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë. Një nga të infektuarit është një 20-vjeçare shtetase italiane si dhe një 77-vjeçar kosovar.

Qeveria e Kosovës mbrëmë në një mbledhje të jashtëzakonshme ka vendosur që Vitia e Klina të hyjnë në karantinë. /Gazeta Sinjali/