image Në Itali nis vaksinimi kundër COVID-19

Evropë

Në Itali nis vaksinimi kundër COVID-19

news image

Gati dhjetë muaj pasi pacienti i parë italian rezultoi pozitiv me koronavirusin e ri, Italia të dielën ka nisur vaksinimin e qytetarëve të parë kundër COVID-19.

Tre punonjës shëndetësorë në spitalin “Spallanzani” në Romë janë vaksinuar pak para orës 08:00 me vaksinën e zhvilluar nga Pfizer/BioNTech, ka treguar komisioneri për epidemi, Domenico Arcuri.

Është një moment emocionues dhe historik”, ka deklaruar infermierja 29-vjeçare Claudia Alivernini për televizionin “RaiNews24”. “Është fillimi i fundit dhe shpresoj të jem e para nga mbi 60 milionë italianë”, tha Arcuri, përcjell Gazeta Sinjali.

Italia të enjten është bërë shteti i tetë në botë që ka kaluar shifrën e 2 milionë rasteve pozitive. Ka raportuar 70.909 të vdekur, shifra më e lartë në Evropë dhe e pesta në botë.

Vaksina do të jetë falas dhe punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit do të jenë të parët që do të vaksinohen. Vaksinimi do të jetë në baza vullnetare.

Hungaria e Sllovakia nisën fushatën e vaksinimit të shtunën ndërsa shtetet tjera të Bashkimit Evropian, përfshirë Italia, kanë filluar sot.

Rreth 9750 doza të vaksinës së Pfizer/BioNTech kanë arritur në Itali dhe 470 mijë tjera pritet të arrijnë javën e ardhshme, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Sot është ditë simbolike që duhet të jap një ide për bukurinë e Evropës që ka blerë vaksina për të gjithë dhe i ka shpërndarë për të gjithë”, ka thënë komsioneri Arcuri./Gazeta Sinjali/