image Në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve pjesëmarrës do të jenë 53 viktima

Drejtësi

Në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve pjesëmarrës do të jenë 53 viktima

news image

Në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, gjykatësi i Procedurës Paraprake,  më 15 dhjetor e kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II, njoftojnë Dhomat e Specializuara.

Sipas tyre Pas marrjes së dosjes, Trupi Gjykues planifikoi konferencën mbi ecurinë e çështjes për 16 dhjetor, për të diskutuar aspektet teknike me palët në kuadër të përgatitjes së gjykimit.

“Konferenca mbi ecurinë e çështjes është mbajtur dje, ku Trupi Gjykues II njoftoi synimin e tij për ta caktuar më 1 mars 2023 seancën për deklaratat hyrëse në këtë çështje. Trupi Gjykues më tej theksoi se, për të arritur këtë datë të synua, Konferenca përgatitore për gjykimin do të mbahet më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca përgatitore e ZPS-së, në fillim të shkurtit. Vendimet përkatëse lidhur me këtë do të pasojnë në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e DHSK-së.

Më tej në njoftim thuhet se në të njëjtën çështje gjyqësore, më 12 dhjetor, Gjykatësi i Procedurës Paraprake nxori vendimin e katërt mbi pjesëmarrjen e viktimave”, me anë të të cilit pranoi 14 viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Ai nuk pranoi 20 kërkesa të tjera pasi krimet e pretenduara nga të cilat këta parashtrues bënë të ditur se kishin vuajtur, nuk përkonin me vendet dhe periudhat e përmendura në Aktakuzë. Në Vendim, gjykatësi i Procedurës Paraprake nënvizoi se përfundimet e tij nuk paragjykojnë asnjë kërkesë të ardhshme dhe as vendimet përkatëse mbi pranueshmërinë e tyre. Ky vendim, e çon numrin e gjithsejtë të viktimave pjesëmarrëse në gjykimin Thaçi dhe të tjerët, në 53. Gjykatësi i Procedurës Paraprake përcaktoi se viktimat e pranuara me vendimin më të fundit do t’i bashkohen grupit ekzistues të viktimave pjesëmarrëse në proces dhe do të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës viktimash.

Dhomat e Specializuara njoftojnë se një numër kërkesash të tjera nga viktimat për të marrë pjesë në procesin e kësaj çështje gjyqësore janë ende në pritje të vendimit mbi pranueshmërinë e tyre. Më 9 dhjetor, u dorëzua “Raporti i Dhjetë i Zyrës Administrative drejtuar Gjykatësit të Procedurës Paraprake mbi Kërkesat e Viktimave për Pjesëmarrje në Proces” i cili përmban rekomandime për gjykatësin lidhur me 10 kërkesa të tjera.

Derisa nga DHSK- njoftuan se nga  hëna, më 19 dhjetor, fillon pushimi i gjykatës. Gjykata do të jetë në funksionim gjatë periudhës së pushimit të gjykatës dhe puna do të vijojë si zakonisht në të gjitha njësitë e DHSK-së. Informimi i parë javor për vitin e ardhshëm do të mbahet të enjten, më 12 janar 2023.

/GazetaSinjali/