image Në Gjykatën Speciale në Hagë përfundon konferenca mbi ecurinë e çështjes në rastin ndaj Pjetër Shalës

Drejtësi

Në Gjykatën Speciale në Hagë përfundon konferenca mbi ecurinë e çështjes në rastin ndaj Pjetër Shalës

news image

Në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbajtur konferenca mbi ecurinë e çështjen në rastin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala. Aty u diskutua për procesin e hetimeve, përkthimet dhe nxjerrjen e materialeve.

Mbrojtja e Shalës ka deklaruar se përkthimi i dosjes paraprake në gjuhën shqipe duhet të trajtohet me prioritet, ndërsa lidhur me hetimet ka thënë se kanë arritur progres dhe udhëtimin e parë pritet ta bëjnë në fund të muajit shkurt.

Megjithatë, avokati Jean-Louis Gilissen ka thënë se po përballen me vështirësi gjatë procesit të hetimeve për shkak të situatës me COVID-19.

“Përkthimi i dosjes paraprake të prokurorisë në gjuhën shqipe duhet të trajtohet me prioritet të lartë për mbrojtjen… Kemi arritur të kemi progres në disa aspekte, kemi identifikuar objektivin kryesor të misionit tonë të parë në teren dhe po bëjmë planet tona në bazë të informacioneve që i kemi marrë nga tereni, një mision të parë pra, udhëtimin tonë të parë në fund të shkurtit, fillim të marsit, sigurisht në varësi edhe të kushteve shëndetësore”, ka thënë ai.

Avokati i Shalës ka thënë se do të mund t’i analizojë dokumentet në tërësi, atëherë kur të dorëzohet dosja paraprake.

“Ne presim ZPS-në që të fillojë me identifikimin e materialit provues që do të jetë objekt i kundërshtimeve të mundshme për pranueshmërinë nga pikëpamja e mbrojtjes. Besoj që kur të na nxjerrën të gjitha materialet dhe vet dosjen paraprake si edhe tabelën e ZPS-së, atëherë do të jemi në një pozitë për t’i analizuar të gjitha dokumentet në tërësinë dhe plotësinë e tyre”, ka thënë ai.

Ndërsa lidhur me nxjerrjen e materialeve sipas rregullës 102 (3) mbrojtja ka deklaruar që kanë marrë një paketë me 400 dokumente ndër të cilat janë 96 materiale shfajësuese.

Sipas avokatit, nuk janë nxjerrë të gjitha materialet shfajësuese që prokuroria i ka në dispozicion.

“Mendoj që është detyra dhe detyrimi i ZPS-së që të rishikojë dhe t’i nxjerrë të gjitha materialet shfajësuese që i ka në zotërim të vetin dhe fatkeqësisht ky detyrim nuk është plotësuar, nuk është bërë siç duhet nga ana e ZPS-së. Ne kemi marrë 96 dokumente shfajësuese, si material shfajësues, pas i kemi përzgjedhur ato nga lista e njoftimit të rregullës 102(3)”, ka thënë Gilissen, raporton KP.

I akuzuari Pjetër Shala e ka përcjellë konferencën përmes video-lidhjes.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./GazetaSinjali/