Me një ceremoni solemne, sot në Komunën e Gjilanit është është inauguruar shtatorja e heroit të kombit, Abdullah Tahiri. Aty para shumë qytetarëve u çmua veprimtaria atdhetare e heroit Tahiri.
Kryetari i kësaj komunë, Lutfi Haziri tha se Abdullah Tahiri ishte njeri i guximit që ka dhënë gjithçka për atdheun.
“Si njëri, si protestues si veprimtar, si kryengritës e i burgosur i luftës, e në fund edhe si dëshmor dhe hero”, tha ai.
Fjalë të mëdha për Abdullah Tahirin shprehu edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Si student ka pasur mospajtime, duke vazhduar si kryengritës deri në fillimet e luftës. Por, po ashtu duke e përmbyllur kapitullin e tij për liri me rënien e tij”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi tha se Abdullah Tahiri ishte i pari në demonstrata dhe lëvizje politike.
“Tregoi që Kosova po merrte një pamje tjetër të angazhimit për liri dhe pavarësi të vendit. Abdullahu nuk ishte njëri nga ata, por ishte i pari. I pari në demonstrata i pari në lëvizje politike”, tha ai.
E, djali i Abdullahit, Iliri kërkoi unitet për t’i tejkaluar sfidat që i ka Kosova.
“Sfidat që i kemi përpara janë sfida që vetëm të bashkuar dhe unik mund t’i kapërcejmë”, tha ai.
Pjesë e kësaj ceremonie ishin qytetarë të shumtë, përkundër pandemisë Covid 19, distanca sociale dhe bartja e maskave nuk u respektua./Gazeta Sinjali/