image Në ditët e fundit të pushtetit, Haxhiu e Selimi s'u thonë më qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, i 'inkurajojnë' të dalin në protesta

Kosovë

Politikë/ Në ditët e fundit të pushtetit, Haxhiu e Selimi s’u thonë më qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, i ‘inkurajojnë’ të dalin në protesta

news image

Derisa ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia insiston vazhdimisht që qytetarët ta parandalojnë përhapjen e koronavirusit duke qëndruar në shtëpi, kjo nuk po ju pëlqen zyrtarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë kohë kur pushteti i tyre po i numëron ditët e fundit.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, i kanë inkuruajuar indirekt qytetarët që të dalin në protestë të shtunën, kur pritet të votohet në Kuvend qeveria e re e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Haxhiu dhe Selimi refuzuan që t’u bëjnë thirrje qytetarëve që të rrinë në shtëpi edhe të shtunën, ashtu siç u kishin kërkuar ta bëjnë deri më tani.

Selimi nuk foli, ndërsa Haxhiu, ndonëse mohoi se Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar protesta, tha se është e rëndësishme që qytetarët ta shprehin kundërshtimin e tyre në një formë të tillë.

“Deputeti Selimi e përmendi më herët që është një shqetësim i madh qytetar.. Aktualisht Vetëvendosje nuk ka vendosur për protesta…. Shëndeti i qytetarëve është shumë i rëndësishëm, por në anën tjetër po ashtu është shumë e rëndësishme që qytetarët ta shprehin -si me thënë- kundërshtimin e tyre. Kemi shtete po protestojnë me distancë”, deklaroi Haxhiu në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini. 

Ndërkaq sot gjatë ditës, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të përbashkët me ministren në detyrë të Ekonomisë, Rozeta Hajdarin dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadanin prezantoi masat e reja, teksa theksoi disa herë se qytetarët duhet t’i shmangin grumbullimet dhe të qëndrojnë në shtëpi. /Gazeta Sinjali/