Sot ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, mbajti paraqitjen e tij të parë, duke filluar në orën 15:00, shkruan Gazeta Sinjali.
Po ashtu, në ora 11:00, u mbajt edhe paraqitja e parë e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjatë kësaj dite kur ish-krerët e UÇK-së po mbanin seancën gjyqësore në Gjykatën Speciale, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, që ishte edhe organizator, mbajtën një takim online në vijim të iniciativës të Schengenit Ballkanik.
Gjatë këtij takimi që zgjati 20 minuta, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për të luftuar COVID-19.
Ndërsa, Shqipëria dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për lëvizjen në shtetet respektive vetëm me letërnjoftim. /Gazeta Sinjali/