image Në 75 vjetorin e rënies, Shaban Polluzha shpallet hero i Kosovës

Kosovë

Akademi/ Në 75 vjetorin e rënies, Shaban Polluzha shpallet hero i Kosovës

news image

Është mbajtur akademia përkujtimore për heroin dhe komandantin, Shaban Polluzha me rastin e 75 vjetorit të rënies, ku edhe u nderua me çmimin hero i Kosovës për sakrificën dhe luftën e çlirimit të kombit shqiptar.

Kjo akademi u mbajt nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e kujtoi luftën dhe sakrificën e madhe të Shaban Polluzhës duke e nderuar me epitetet më të larta.

Thaçi tha se emri i heroit Shaban Polluzha do të mbetet gjithmonë në zemërat tona, pasi u bë frymëzues për breza të tërë që iu bashkuan luftës për liri dhe pavarësi të Kosovës.

“Edhe komandanti Shaban Polluzha u ndalua zyrtarisht, emri i tij së përmenduri, por asnjëherë nga mendjet e ngritura dhe zemrat e pastërta atdhetare në Drenicë, në Kosovë e në të gjithë kombin…Shaban Polluzha sot zë vendin e gjurmë në historinë moderne të Kosovës, në historinë moderne të kombit…u bë frymëzues për breza të tërë që u angazhuan për liri dhe pavarësi të Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Në emër të familjes Polluzha foli Zahir Kastrati, nip i Shaban Polluzhës, i cili tha së në këtë 75 vjetor të rënies kujtojmë heronjtë Shaban Polluzha e Mehmet Gradica që u flijuan për atdhe.

Ndërsa, Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci e nderoi lart figurën e Polluzhës dhe premtoi që vitin e ardhshëm figurën e tij ta shkrijë në bust.

“Ka kohë që ne kemi marrë një vendim në konsull të presidentin, bashkë me kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin që në shenjë respekti dhe kujtimi për të gjithë bashkëluftëtarët e Shaban Polluzhës do ta derdhim në bronz vitin e ardhshëm figurën e Shaban Polluzhë në cep tek komunës e vjetër”, tha ndër të tjera Lladrovci.

Shaban Polluzha u vra më 21 shkurt të vitit 1945 në fshatin Tërstenik të Drenicës. Ai ishte njëri ndër komandantët më të njohur të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa sot nga presidenti Thaçi u nderua me titullin hero i Kosovës në nder të 75 vjetorit të rënies së tij.

Shaban Polluzha edhe në vitin 2009 është dekoruar me medaljen “Heroi i Kosovës” nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu./GazetaSinjali/