Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), përmes një komunikate për media ka bërë të ditur vendimet e fundit rreth aktiviteteve fetare për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.
BIK-u thotë se duke u nisur nga parimi islam se ruajtja e shëndetit dhe mbrojtja e jetës së njeriut është nga objektivat kryesore të fesë islame dhe duke vlerësuar gjendjen e rritjes enorme të të infektuarve nga virusi Covid-19 në Kosovë, pas diskutimeve mori disa vendime.
Këto janë vendimet e marra nga BIK-u:
Pezullimi i të gjitha aktiviteteve fetare në të gjitha xhamitë e Kosovës, sikur janë ligjëratat e tribunat fetare.
Pezullimi i mësim-besimit dhe shkollës verore nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës.
Obligohen Imamët të kujdesen për mbajtjen e distancës fizike të besimtarëve brenda xhamive.
Kufizimi i faljes në ambiente të mbyllura të xhamisë, jo më shumë se 50 persona.
Shënjimi i vend-faljeve brenda xhamive për shkak të distancës.
Pezullimi i manifestimeve fetare.
Ndalimi i pjesëmarrjes së imamëve në të pame.
Shkurtimi i hytbes së xhumasë në 10 minuta.
Falja e xhumasë nga dy herë në xhamitë qendrore sipas nevojës.
Besimtarët obligohen që:
Të mbajnë maska gjatë faljes në xhami.
Të përdorin sexhadet e tyre personale.
Të përdorin dezifenktuesit me rastin e ardhjes në xhami.
Të moshuarit mbi moshën 65 vjeçare të falen në shtëpi.
Të rinjtë nën moshën 16 vjeçare të falen në shtëpi.
Të sëmurit me sëmundje kronike të falen në shtëpi.
Tutje bëhet e ditur se Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës sikur edhe deri më tani është e përkushtuar të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet kompetente të vendit për të ruajtur shëndetin publik të qytetarëve por njëkohësisht ftojmë institucionet kompetente të vendit të mos të nguten në marrjen e vendimit për mbylljen e objekteve fetare, në këtë rast xhamive, sepse konsiderojmë se vendimet dhe masat e marra nga ne janë të mjaftueshme për luftimin e pandemisë në këtë fazë.
“Poashtu ftojmë besimtarët që t’i përmbahen në përpikëri të gjitha vendimeve dhe rekomandimeve të dala nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit. Falënderojmë të gjithë besimtarët për mirëkuptimin dhe kontributin e tyre në përballje me pandeminë dhe ruajtjen e shëndetit”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Sinjali