Pas triumfit 3-0 ndaj Çekisë, Shqipëria do të presë Bullgarinë të martën në një miqësore në stadiumin ‘Air Albania’. Lista e Kombëtares ka pësuar ndryshime për këtë takim, teksa pas largimit të Keidi Bares dhe Mirlind Dakut, trajneri Sylvinho ka vendosur të thërrasë për herë të parë në Kombëtaren A, Marvin Çunin.
Sulmuesi shqiptar, i cili aktivizohet me skuadrën e Frosinones në kampionatin Italian do të bashkohet me kuqezinjtë ditën e sotme, ndërsa nesër do të zhvillojë edhe seancën e parë stërvitore në radhët e Kombëtares shqiptare.
Marvin Çuni ka qenë më parë pjesë e Kombëtares U-19, teksa numëron gjashtë paraqitje dhe dy gola, ndërsa tani do të ketë mundësinë të japë kontributin e tij edhe me Kombëtaren A.
Kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj Bullgarisë që do të luhet të martën në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 18:00. Trajneri Silvinjo nuk do të ketë në dispozicion në këtë takim Mirlind Dakun i cili ka lënë grumbullimin për shkak të një tërheqjeje në muskujt e kofshës që pësoi gjatë ndeshjes me Çekinë dhe mesfushorin Keidi Bare, pas kërkesës zyrtare nga klubi i Espanjolit për ta lënë të lirë për shkak të ndeshjes të rëndësishme që klubi spanjoll do të zhvillojë këtë fundjavë në kampionat.