Sot janë duke u mbajtur zgjedhjet lokale në Shqipëri. Parregullsitë e shkeljet e ligjit nuk kanë munguar as këtë herë, me ç’rast janë ngritur dyshime ndaj dy shtetasve në Këlcyrë të Shqipërisë, të cilët në këmbim të votës kanë ofruar një vend pune për një person.
Siç raportohet, dy punonjësit e Zyrës së Ndihmës Ekonomike në Këlcyrë, D.A. dhe R.F., në këmbim të votës, i kanë ofruar një vend pune shtetasit A.B., ku pas denoncimit janë shoqëruar në ambientet e Policisë.
“Në përfundim të veprimeve të para proceduarale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Përmet referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetaset D. A., 53 vjeçe dhe R. F., 40 vjeçe, banuese në Këlcyrë, punonjëse të Zyrës së Ndihmës Ekonomike Këlcyrë, pasi dyshohet se në këmbim të votës, i kanë ofruar një vend pune shtetasit A. B., për djalin e tij”, lexohet në njoftimin e policisë.