Sonte me fillim nga ora 20:45, Kosova do të zhvillojë ndeshjen e 3-të në kuadër të grupeve në “UEFA National Leauge”, ku do të përballet me Irlandën e Veriut.
Ndeshja e cila do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, do të përcillet nga forca të shumta policore të cilët kanë hartuar planin operativ i cili do të zbatohet në mënyrë që të ofrojë siguri para, gjatë dhe pas kësaj ndeshje, shkruan Gazeta Sinjali.
Policia do të kujdeset që në perimetrin e jashtëm (perimetri i dytë) të stadiumit të ofrojë siguri dhe të kujdeset për mbarëvajtjen dhe lëvizjen e personave në atë zonë.
“Rrugët që shkojnë drejt stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe përreth tij do të jenë të bllokuara për qarkullim dhe parkim të veturave. Pra, nuk do të lejohet hyrja e veturave nga rruga ‘Luan Haradinaj’ dhe ‘Fehmi Agani’ në drejtim të stadiumit dhe lëvizja apo parkimi përgjatë rrugës përreth stadiumit. Kurse veturat zyrtare që lejohen të futën në atë zonë duhet të jenë të pajisura me leje të parkingut dhe do të futen në parkim vetëm nga rruga ‘Tirana’“, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia, në zbatim të planit operativ do të angazhohet edhe në kontroll më të detajuar të personave, që shkojnë drejt stadiumit dhe nuk do të lejohen gjëra që mund të paraqesin rrezik, si dhe gjëra që janë të ndaluara për hyrje në stadium.
“Personat të cilët nuk janë pajisur me bileta, apo të cilët përpiqen të qëndrojnë në afërsi apo për rreth stadiumit, sipas planit nuk do të lejohen të qëndrojnë, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithëve“, thuhet tutje në njoftimin e policisë.