Adem Lushajt, ekonomist nga Deçani, i duket e pakuptimtë që qeveria të nisë projekte të reja infrastrukturore siç është rruga Prizren – Tetovë pa u përfunduar rrugët magjistrale të nisura para më shumë se dhjetë vitesh.
Lushaj thotë se qytetarët e Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit, Junikut dhe Gjakovës përballen me transport të vështirë për shkak të rrugëve të dëmtuara dhe mosfinalizimit të projekteve rrugore.
Mungesa e infrastrukturës rrugore moderne për këtë pjesë të Kosovës, sipas tij, shkakton humbje dhe nuk i lejon bizneset që të zhvillohen.
“Edhe pse i kanë filluar, kanë mbetur punimet në gjysmë që më të vërtetë janë duke e penguar zhvillimin e komunikacionit të lirë sidomos rruga Gjakovë – Klinë që është për keqardhje të kalohet andej. Njëjtë ka mbetur edhe rruga Prishtinë – Pejë”, shprehet Lushaj.
“Investimet mund të ndikohen edhe nga këto rrugë sepse edhe më lehtë investitorët interesohen të investojnë në atë pjesë ku janë rrugët e mira, qarkullimi i mirë”, thotë Lushaj.
Rruga Prizren – Tetovë s’e pengon asnjë projekt të brendshëm
Në muajin shtator të këtij viti në një mbledhje të përbashkët, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nënshkruan disa marrëveshje në mesin e të cilave edhe marrëveshjen për ndërtimin e një rruge që lidhë Prizrenin me Tetovën.
Ndërtimi i kësaj rruge për të cilën tashmë janë bërë studimet e fizibilitetit pritet të përfundoj deri në fund të vitit 2024.
Kostoja e projektit që përfshinë edhe një tunel rreth 6 kilometra të gjatë, pritet të jetë rreth 150 milionë euro dhe synohet që të ndërtohet kryesisht me fonde nga jashtë, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“Ne do të synojmë që të sigurojmë fonde për komplet projektin dhe nëse aplikojmë bashkë si dy shtete gjasat i kemi më të mëdha që të sigurojmë fonde por ne e kemi zhvilluar si projekt të rëndësisë së veçantë që edhe nëse nuk i sigurojmë komplet fondet, një pjesë të tyre do ta sigurojmë nga buxheti i shtetit”, tha Durimishi.
Durmishi thotë se nuk ka nevojë që të ngritët asnjë shqetësim në Kosovë pasi ndërtimi i rrugës Prizren – Tetovë nuk e stopon asnjë projekt tjetër infrastrukturor.
Ai thotë se qeveria është duke u marrë intensivisht me projektet e nisura më parë meqë sipas tij, modernizmi i infrastrukturës rrugore është prioritet i qeverisë.
“Ne nuk e kemi ndal asnjë projekt të rëndësishëm brenda territorit të Kosovës në mënyrë që ta realizojmë projektin Prizren-Tetovë. Ne jemi duke i vazhduar të gjitha kontratat; rrugën për Podujevë, rrugën për Mitrovicë, rrugë për Pejë, aty ne e kemi ndalë procesin e shpronësimit por se kemi ndalë ndërtimin e rrugës”, shprehet Durmishi.
Krahas hapjes së korridoreve të reja, profesor i menaxhimit strategjik Halim Gjergjizi thotë se Qeveria duhet të shtoj përpjekjet për të përfunduar projektet që janë lënë në gjysmë.
“Gjithsesi këto rrugë kanë filluar dhe duhet të ndërtohen dhe arsyet pse nuk janë finalizuar janë dobësitë tona menaxhuese. Duhet të insistohet që ato të finalizohen por jo tash të mbyllemi dhe të presim derisa të tjerët janë hapur, kanë hapur korridore, kanë ndërtuar rrugë moderne”, thotë Gjergjizi.
Gjergjizi bënë të ditur se projekti për rrugën Prizren – Tetovë ka ekzistuar para viteve 90’ por thotë se nuk është impelemtuar për shkak të rrethanave politike të kohës.
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është kritik ndaj vendimeve të qeverisë. Ai mendon se fillimisht do të duhej të kryheshin projektet që integrojnë qytetarët dhe bizneset e komunës së Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit, Junikut dhe Gjakovës me pjesët tjera të Kosovës.
Lekaj thotë se heqja dorë nga projekti i autostradës së Dukagjinit është prej gabimeve më të mëdha të kësaj qeverie.
“Të ndahen 150 milionë euro për rrugë që dërgon në Tetovë, krejt në rregull këto lidhje por mendoj se është një nguti derisa i kanë penguar projektet e tjera. Si përfundim i imi është që kjo Qeveri po dëshiron të ndikojë më tepër në këtë kohë në elektorat sesa në zhvillim të infrastrukturës apo ekonomisë”, thotë Lekaj.
Rruga Prizren – Tetovë e fuqizon ekonominë e të dyja vendeve
Por për dallim prej këtyre dyshimeve që ngrihen në Kosovë për ndikimin e këtij projekti në Maqedoni të Veriut mendojnë se rruga Prizren-Tetovë është e një rëndësie të madhe ekonomike.
Eksperti i ekonomisë, Arben Halili, thotë se përveç aspektit kombëtar, hapja e rrugës Prizren-Tetovë në aspektin ekonomik mes tjerash lehtëson qasjen në tregun shqiptar në Shqipëri.
“Do mundësojë shkëmbimin më të lehtë të mallrave dhe shërbimeve dhe njëkohësisht do të shërbejë si një rrugë transit që do të lidhë më tepër vende”, shprehet Halili.
Halili thotë se shpreson se qeveria e Maqedonisë së Veriut të ketë vullnet për realizimin e këtij projekti.
“Uroj që rruga Tetovë-Prizren, të mos ketë të njëjtin fat si ka rruga Shkup – Prishtinë nga pjesa e Maqedonisë së Veriut por duke marrë në konsideratë se kemi të bëjmë me në projekt vital, besoj se bashkëpunimi ndërqeveritar do të jetë në nivelin e duhur dhe gjithë kjo të jetë në interes të zhvillimit ekonomik të të dyja vendeve dhe pse jo të shërbejë edhe si rrugë transit edhe për vendet e rajonit”, thotë Halili.
Rruga Prizren – Tetovë sipas planifikimeve pritet të jetë e gjatë rreth 50 kilometra, raporton REL.
Ky do të jetë një projekt i përbashkët në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kosova me Maqedoninë e Veriut lidhjen kryesore rrugore e ka përmes autostradës “Arbën Xhaferi” që lidhë Prishtinën me Shkupin. Gjatësia e kësaj autostrade është rreth 60 kilometra dhe për ndërtimin e saj nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar më shumë se 600 milionë euro./GazetaSinjali/