image Ndërtimi i banesave për çiftet e reja kosovare fillon këtë vit, do t’u duhet deri në 15 vite për ta paguar kredinë

Sociale

Ndërtimi i banesave për çiftet e reja kosovare fillon këtë vit, do t’u duhet deri në 15 vite për ta paguar kredinë

news image

Projekti për ndërtimin e banesave për çifte, i premtuar nga Qeveria e Kosovës, do të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti. Arkitekti kosovar, Valdet Osmani, ka thënë se së pari duhet të qartësohet metoda e pagesës për çifte, pastaj kush do të jetë pronari dhe disa çështje të tjera. Ndërsa ndërtuesi, Jahir Morina, po konsideron se çifteve në Kosovë do t’u duhet 12 deri në 15 vite për ta paguar kredinë për këto banesa.

Një projekt i qeverisë synon të strehojë 4 mijë çifte të reja në Kosovë. Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se ky projekt do të zbatohet për herë të parë në vendin tonë.   

Arkitekti kosovar, Valdet Osmani, tha se lidhur me këtë projekt duhet së pari të përcaktohet metoda e pagesës nga çiftet, kush do të jetë pronari e disa çështje të tjera. Ai tha se ka raste jashtë vendit ku pronar i këtyre banesave 50% është komuna, e 50% blerësi.

“Unë do kisha propozuar që së pari të përcaktohet metoda e pagesës nga çiftet. Pra, duhet sqaruar se ato çifte a mund ta shesin banesën me vonë apo jo. Ka disa vende ku kjo formë realizohet mirëpo gjithmonë atje 50% është pronar vetë komuna apo vetë shteti, e pjesa tjetër, pronësinë mund ta shesë vetëm me pëlqim të komunës e atëherë kjo e ulë koston e shitjes. Pra, komuna është vetëm njëfarë bashkinvestitori, liron koston, bëhet kosto e përballueshme për çifte të reja, mirëpo nuk mund të abuzohet më me ato banesa të shiten apo stërshiten me çmime të mëdha. Projekti duhet të definohet edhe në cilat zona do të ndërtohen si dhe përparësitë se kush mund të fitojë të drejtën për blerje”, tha Osmani.

E për ndërtuesin Jahir Morina, ky projekt nuk është i lehtë të realizohet. Ai tha se çifteve do t’u duhej 12 deri në 15 vjet ta paguajnë kredinë.  

“Duhet të jetë një projekt në partneritet publiko-privat, ndërsa çiftet e reja të cilët do të  përfitojnë duke e pasur parasysh pagën bazë që është në Kosovë, do t’iu duhet 12 deri në 15 vite ta kryejnë kredinë për blerjen e banesave të reja”, tha Morina.

Kësti mujor për blerje të këtyre banesave është thënë se do të jetë 120 me 120 deri në 150 me 150  euro, që do të ndahet ndërmjet çiftit bashkëshortor. Ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të jenë të gatshme për banim këto ndërtesa.

Për këtë çështje është aprovuar kredia prej 25 milionë eurosh nga Banka për Zhvillimin e Kosovës.

Ministria e Mjedisit, me datë 16 shkurt 2022 ka nënshkruar marrëveshje me “International Finance Corporation (IFC)” për banim me kosto të përballueshme. IFC-ja me datë 01 shkurt 2023, ka prezantuar para ministrit  të Mjedisit, Liburn Aliu, studimet se si ky projekt mund të realizohet në Kosovë. Kostoja e ndërtimit për këtë projekt është përafërsisht 200 milionë euro. Projekti do të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti dhe lokacionet e siguruar deri më tani janë Prishtina, Peja dhe Gjilani.

/GazetaSinjali/