Akademiku shqiptar Gudar Beqiraj ndërroi jetë sot nga një sëmundje e papritur, në moshën 72-vjeçare.
I diplomuar në fushën e matematikës, Beqiraj ishte ndër të parët specialistë shqiptarë të formuar në metodat e informatikës së aplikuar në fushën e gjeofizikës (Universiteti Paris VI, Francë), duke vijuar më tej me formimin përmes punës në Universitetin “La Sapienza” të Romës.
Gudar Beqiraj ka drejtuar Akademinë e Shkencave i zgjedhur nga Asambleja në detyrën e kryetarit dhe të zëvendësit.
Përveç veprimtarisë shkencore, universitare dhe administrative, Gudar Beqiraj është një personalitet në fushën e sportit të peshëngritjes, si sportist dhe arbitër (duke përfshirë arbitrimin në kategorinë e parë ndërkombëtare), si president i federatës kombëtare të këtij sporti dhe zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar.
Së fundi kryente detyrën e Rektorit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.
Për vdekjen e Beqirajt ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta, që cilëson akademikun si “një mik të vjetër, me të cilin, për më shumë se tre dekada kam bashkëpunuar duke zbuluar tek ai një zemër të madhe, një karakter të fortë, një mençuri largpamëse dhe një kurajë për të marrë vendimet e duhura, gjithmonë në të mirë dhe në dobi të shkencës, të sportit dhe të të mirës së përgjithshme”. /Gazeta Sinjali/