Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim që ta ndalojë përkohësisht importin e vajit të palmës si dhe importin e djathit dhe produkteve të ngjashme të tij të prodhuara me yndyrë bimore (vaj palme), shkruan Gazeta Sinjali.
Me këtë vendim po ashtu ndalohet përkohësisht edhe përdorimi i vajit të palmës në prodhimin e produkteve të ngjashme të djathit nga prodhuesit vendor.
Sipas vendimit të siguruar nga Gazeta Sinjali, MTI ka obliguar Doganën e Kosovës për zbatimin e këtij vendimi.
“Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës të bëj hulumtim lidhur me përdorimin e brendshëm të vajit të palmës. Obligohet Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të obligojë operatorët ekonomikë të bëj ndarjen e produkteve të qumështit me yndyrë bimore (vaj palme) prej atyre me origjinë shtazore”, thuhet në vendim.
Vendimi u nënshkrua sot nga ministri i MTI-së, Vesel Krasniqi dhe do të hyjë në fuqi me datën 15.09.2020.
MTI e ka arsyetuar këtë vendim duke thënë se vaji i palmës dyshohet se po përdoret për prodhimin e produkteve të qumështit dhe në etiketën e produkteve nuk vendosen të dhëna të sakta lidhur me përmbajtjen e tij, prandaj konsiderohet se është duke u dëmtuar konkurrenca e lirë dhe ka elemente të mashtrimit të konsumatorit. /Gazeta Sinjali/