image Ndalimi i dy zyrtarëve të Këshillit Prokurorial, flasin avokatët e tyre

Drejtësi

Ndalimi i dy zyrtarëve të Këshillit Prokurorial, flasin avokatët e tyre

news image

Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ndaluar për 48 orë drejtorin e përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqin dhe asistenten e tij, Marigona Berisha, shkruan Gazeta Sinjali.

Lidhur me dyshimet dhe pretendimet e prokurorisë për çka edhe janë ndaluar Krasniqi dhe Berisha, për Gazetën Sinjali kanë folur avokatët e tyre.

Ramë Gashi tha se Krasniqi po dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, por thotë se i njëjti i ka mohuar të gjitha pretendimet e prokurorisë.

“Jo, ai ka mohu çdo gjë që ka lidhje me atë gjë. Prokuroria ka filluar hetimet, ai ka mohuar ato pretendime dhe mirëpret zhvillimin sa më të shpejtë të hetimeve. Ai është ndalu për disa gjëra, si ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’. Në pyetje që i janë bërë, ka dhënë përgjigje dhe e ka mohu përfshirjen e tij në çdo veprim inkriminues dhe është i interesuar që sa më shpejt me u sqaru çështja”, tha avokati i Krasniqit për Gazetën Sinjali.

Ndërkaq, Fatlum Podvorica, mbrojtësi ligjor i Marigona Berishës, foli për raportimet e mediave se një veturë ka kaluar në pronësi të saj, pasi që fillimisht ishte pranuar nga Krasniqi në vlerë të 20 mijë eurove, për t’ia mbyllur një lëndë një personi me të kaluar kriminale.

Sipas tij, vetura në fjalë është blerë nga Berisha me anë të një kredie dhe për këtë ekziston kontrata e noterizuar dhe se klientja e tij nuk ka të bëjë asgjë me këtë rast.

“Unë vetëm dua të ju informoj se lidhur me rastin, e njëjta nuk ka të bëjë fare. E njëjta ka marrë një kredi, në emër të veturës, për të cilën veturë ka kontratë të përpiluar te noteri dhe e ka kry atë pagesë. Asgjë nuk e inkriminon të njëjtën. Nuk e di detaje, se nuk jam në zyre. Por, është krediti që e ka mbulu komplet veturën të cilën e ka ble, sipas kontratës së autorizuar, asgjë nuk ka bë jashtë ligjit”, tha ai.

Sipas tij, Marigona Berisha po dyshohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërim të përgatitjes të veprës penale”, mirëpo thotë se as ajo vetë nuk është në dijeni se cilën vepër penale nuk e ka lajmëruar.

Podvorica tha se është befasuar me vendimin e prokurorit që Berisha të ndalohet për 48 orë.

As ajo nuk është t’u e ditë, se nuk ka asgjë të bëjë me këtë. Nuk e di as pse e kanë fut këtë, të them të drejtën. Kjo e ka një kontratë që e ka ble, ka marrë kredit për atë veturë, është duke e pagu kreditin. E ka pagu veturën sipas transaksionit, në bazë të kontratës. Nuk ka absolutisht asnjë veprim që e inkriminon të njëjtën. Kjo (Marigona Berisha) në rastin konkret mund të jetë viktimë e ndonjë mosmarrëveshje mes dikujt tjetër, por jo kjo si person…Nuk e di pse e kanë ndalu, jam befasu edhe unë. Por, besoj që kjo do të lirohet tash pas administrimit të provave”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/