image NATO po punon në hapjen e hapësirës së ulët ajrore të Kosovës

Kosovë

Plani/ NATO po punon në hapjen e hapësirës së ulët ajrore të Kosovës

news image

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka konfirmuar se NATO po punon për zgjidhjen e çështjeve në mënyrë që të rihap hapësirën e ulët ajrore mbi Kosovën.

“Ekziston një proces, i cili lehtësohet nga NATO-ja dhe e adreson këtë çështje. Shpresoj se do të gjejmë mënyra për t’u pajtuar për rihapjen e hapësirës së ulët ajrore dhe në këtë mënyrë të mundësojmë trafikun e drejtpërdrejtë ajror midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Stoltenberg të mërkurën në Bruksel.

Kosova dhe Serbia, në fillim të javës së kaluar kanë nënshkruar Letrat e Synimit, me të cilat parashihet vendosja e një linje të drejtpërdrejtë ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Në fillim të këtij muaji, NATO mirëpriti marrëveshjen e vendosur midis linjës ajrore gjermane Lufthansa dhe autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë, për vendosjen e fluturimeve të drejtpërdrejta tregtare midis dy kryeqyteteve, 21 vjet pasi trafiku ishte ndalur.

“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është mënyra e vetme për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin”, theksoi Stoltenberg.

Dispozitat e sigurisë së hapësirës ajrore janë transferuar në misionin e KFOR në 1999, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB dhe Marrëveshjen Ushtarake-Teknike, ndërsa ato janë rregulluar edhe sipas ligjeve aktuale të Kosovës. 

Prandaj, kërkohet pëlqimi i NATO-s për të mundësuar rihapjen e shërbimit ajror të drejtpërdrejtë.

Stoltenberg konfirmoi se “po punohet shumë për ta arritur këtë pëlqim brenda NATO-s”. /Gazeta Sinjali/