Agjencia e NATO-s për Komunikim dhe Informacion (NCI) ka njoftuar se do të hapin një tender për pajisje biometrike të regjistrimit dedikuar forcës paqeruajtëse të KFOR-it.
Vlera e këtij tenderi kap shumën prej 750 mijë eurosh.
Sipas dokumentit, me këtë tender synohet që t’i sigurohen KFOR-it gjashtë grupe të pajisjeve të regjistrimit biometrik me bazë në zyrë.
Në këtë tender llogariten edhe tetë grupe shtesë të këtyre pajisjeve (gjashtë si rezervë dhe dy për regjistrim celular në pikat e kontrollit) të cilat paraqesin “modalitetet minimale” të biometrisë së fytyrës, gjurmëve të gishtave dhe irisit”, shkruan Biometricupdate.com.
“Më konkretisht, qëllimi është të ndihmojë autoritetin kryesor të KFOR-it, (departamentin) J2X Vetting Cell, në kryerjen e verifikimit dhe shqyrtimit të punonjësve lokalë. Fituesi do të “prokurojë, vendosë, instalojë pajisjet fikse dhe portative biometrike dhe të sigurojë mirëmbajtjen dhe përditësimet e pajisjeve të regjistrimit të biometrisë”, thuhet në dokument.
Agjencia NCI ka bërë publike tashmë edhe listën fillestare të ofertuesve, ku ndër të tjera përfshihen kompanitë: Atos, Thales, Honeywell dhe Parsons.