Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nënshkroi deklaratën e përbashkët për bashkëpunim strategjik me Bashkimin Evropian.
Kjo deklaratë, që u nënshkrua të martën në selinë e aleancës në Bruksel, synon “ngritjen në një nivel më të lartë” të raporteve të këtyre dy institucioneve.
Deklarata u nënshkrua nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Stoltenberg tha se deklarata e tretë e NATO-s dhe BE-së për bashkëpunim strategjik, është më e rëndësishme se kurrë më parë, duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet aleanca ushtarake perëndimore, veçmas pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Shefi i NATO-s bëri thirrje që të ruhet uniteti i botës së lirë demokratike karshi kërcënimeve të Moskës.
“Presidenti [i Rusisë, Vladimir] Putin, deshi ta pushtojë Ukrainën për disa ditë dhe të na ndajë ne. Në të dyja këto dështoi”, tha Stoltenberg.