Naser Shala i njohur si ‘ftyra’ ka folur gjatë ditës së sotme për Sinjalin lidhur me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe nga Bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Ai në një përgjigje të shkurt për Sinjalin ka thënë se në pozitën e AKVP-së është emëruar me votat e deputetëve të Kosovës, për çka ai i ka falënderuar.
Shala nuk e ka përmendur largimin nga posti, por ka thënë se do të veprojë në bazë të besimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Në pozitën e drejtorit të sekretarisë ekzekutive të AKKVP -së jam emëruar me votën e deputetëve të Kosovës. Për këtë jam falënderues të gjithë deputetëve përfshirë edhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës z. Kadri Veseli”.
“Të gjitha veprimet e mija do të jenë konformë besimit që më është dhënë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Shala për Sinjalin.
Gjatë ditës së sotme SHBA i është bashkuar dorëheqjes së Britanisë së Madhe nga Bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës me arsyetimin se duke përzgjedhur persona të pakualifikuar, Kosova po tradhton besimin dhe po e dëmton imazhin e vendit.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Kadri Veseli i cili kishte qenë kryetar i Kuvendit kur ‘ftyra’ ishte zgjedhur në këtë pozitë.
Dorëheqjen e ambasadës britanike dhe asaj amerikane e ka quajtur lajm të keq për Kosovën dhe alarm për të gjithë.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se nepotizmi po e dëmton shtetin, po i detyron të rinjtë të ikin nga vendi, gjithashtu po i cenon rëndë marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.
“Liria, pavarësia dhe proceset e shtetndërtimit të Kosovës janë arritur vetëm falë mbështetjes së pakursyer të aleatëve dhe, po ashtu, vetëm me ndihmën e tyre mund t’i përballim sfidat që kemi përpara”, ka shkruar Veseli./Sinjali/