Ministrja e Arsimit në Qeverinë Kurti, Arbërie Nagavci, ka thënë se prioritet i kësaj qeverie është zbardhja e fatit të të pagjeturve.
Sot në Kosovë, emrat e mbi 1 mijë e 630 të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vendosur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në Ditën Kombëtare për Persona të Pagjetur.
“1632 Persona të zhdukur. 22 vjet drejtësi e munguar”, shkroi Nagavci.
Ajo thotë se në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur, ende plagët janë të hapura e ankthi i pritjes i pranishëm.
“Si nënë, si grua dhe familjare bashkëndjej me familjet, përjetoj dhimbje e mllef. Si pjesë e Institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj përgjegjësi të plotësojmë së paku boshllëkun shpirtëror. Prioritet i Qeverisë Kurti është përkushtimi në zbardhjen e fatit të secilit të zhdukur. Të gjithëve na mungojnë”, shkroi ajo. /Gazeta Sinjali/