Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, sot ka deklaruar se mund të ketë zgjedhje të reja.
Ajo në një prononcim për RTV21, ka thënë se nëse nuk arrihet zbatimi i vullnetit të qytetarëve që LVV të bashkëqeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, atëherë prapë do të kthehen te qytetarët.
“Ne në vazhdimësi kemi qenë për respektimin e vullnetit të qytetarëve, vullneti i shprehur ka qenë që të kemi qeverisje të LVV-së me kryeministër Albin Kurtin dhe partner qeversisës LDK-në. Nëse për arsye që nuk varen prej nesh nuk arrihet implementimi i vullnetit të qytetarëve, duhet të kthehemi te qytetarët” është shprehur Nagavci.
Lëvizja Vetëvendosje dje përmes një letre refuzoi ofertën e LDK-së. Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, ndër të tjera tha se kërkesa për largimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca është qasje jodemokratike.
Teksa, i pari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se letrën e VV-së nuk e konsideron si përgjigje zyrtare edhe pse shpreh interesim që të përmbyllet ky proces./Gazeta Sinjali/