image Nagavci në mbrojtje të UÇK-së: Lufta e saj ishte e pastër dhe e drejtë

Kosovë

Nagavci në mbrojtje të UÇK-së: Lufta e saj ishte e pastër dhe e drejtë

news image

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka thënë se Gjykata Speciale erdhi si rezultat i dështimit për krijimin e një sistemi të fuqishëm të drejtësisë në Kosovë, duke marrë përsipër vetë gjykimin e rasteve të dyshuara, por për këtë fajtorë sipas saj s’janë të gjithë, por ata që kishin pushtet ekzekutiv.

Nagavci në një postim në Facebook ka shkruar se nuk ka nevojë të pastrohet UÇK-ja, pasi lufta e saj është e pastër dhe e drejtë, por krijimi i Speciales ishte rezultat i presioneve, të cilave sipas saj, iu nënshtruan vetëm ata deputetë që kishin qëllim të krijonin këtë gjykatë dhe ata që mund të shantazhoheshin.

Postimi i plotë:

Nga 5 nëntori gjërat do të jenë ndryshe në Kosovë e për Kosovën. Për fat të keq asgjë s’erdhi as rastësisht e as papritur.

E në këto ditë jo të lehta për vendin, kur në titujt e mediave ndërkombëtare kemi e do të kemi në vazhdimësi tituj që do përmbysin historinë, në Kosovë ka tendenca që përsëri të neutralizohen përgjegjësit, të fajsohen të gjithë:

1. Fajet i kemi ne që kemi dështuar të krijojmë një sistem të fortë të drejtësisë dhe të merrnim përsipër vet gjykimin e rasteve të dyshuara.

2. E mira e kësaj gjykate është se do pastrohet UÇK-ja.

3. Krijimi i gjykatës ishte i pashmangshëm, deputetët që e votuan ishin në presion dhe s’kishin zgjidhje tjetër.

Të tri këto konstatime janë të paqëndrueshme:

1. Fajtor nuk jemi të gjithë, janë ata që kishin pushtet ekzekutiv dhe përgjegjësi për krijomin e institucioneve dhe keqpërdorën kompetencat për të kapur institucionet e për qëllime korruptive.

2. Nuk ka nevojë të pastrohet UÇK-ja, ajo është e pastër dhe e drejtë. Ushtarët e saj kishin qëllime fisnike, çlirimtare dhe ishin të prirur nga ideale të larta. Madje UÇK ishte më shumë se vet ajo, ishte gjithë populli që e mbështeti dhe ndihmoi në të gjitha format.

3. Krijimi i dhomave të specializuara ishte vërtet rezultat i presioneve, por jo i pashmangshëm. Presioneve nuk iu nënshtruan të gjithë deputetët, e votuan vetëm ata që kishin qëllim të krijonin këtë gjykatë dhe ata që mund të shantazhoheshin.

E vërteta është se individët kanë përgjegjësi individuale dhe drejtësia duhet të vihet në vend për secilin rast pa asnjë dallim.

Por, fatkeqësisht sot kemi një gjykatë një etnike, një gjykatë që do të gjykojë në mënyrë selektive. E subjekt i kësaj gjykate në një mënyrë ose një tjetër do të jemi të gjithë, do të jetë Kosova, paradoksalisht me miratimin e saj të dhënë nëpërmjet të përfaqësuesve të zgjedhur.

Liria ka emër, ashtu si dhe përgjegjësia.

/Gazeta Sinjali/