image Nagavci: Më 5 maj nxënësit e fshatrave të Kamenicës rikthehen në shkollë

Arsim

Nagavci: Më 5 maj nxënësit e fshatrave të Kamenicës rikthehen në shkollë

news image

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se 441 nxënës nga fshatrat e Kamenicës, nga 5 maji do të rikthehen në bankat shkollore, raporton Gazeta Sinjali.

“Të drejtën për mësim duhet ta gëzojnë të gjithë, pra edhe nxënësit e Kamenicës. Nga data 5 Maj, do t’a rifillojnë mësimin 441 nxënësit e pesë fshatrave të Kamenicës sipas Vendimit të Ministrisë së Arsimit për Organizimin e Mësimit Alternativ të Përshpejtuar. Inspektorët e Arsimit, në koordinim me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe drejtor të këtyre shkollave, kanë filluar përgatitjet e duhura për zhvillimin e procesit edukativo- arsimor”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.

Nagavci ka kërkuar nga Komuna e Kamenicës që ta zbatojë në tërësi këtë vendim dhe mësimi të organizohet për nxënësit e SHFMU “Hasan Prishtina”, në fshatin Busavatë, SHFMU “Asllan Thaqi”, në fshatin Karaçevë e Poshtme, SHFMU “Xhelal Sopi” në fshatin Petrocë, për nxënësit e Paraleles fizike në fshatin Shipashnicë e Poshtme, si dhe për nxënësit e paraleles fizike në fshatin Kopernicë.

Sipas saj, zbatimi i këtij vendimi nuk ka kosto shtesë për transport, pasi që mësimi do të zhvillohet në shkollat ku nxënësit i kanë mbajtur më herët mësimet.

“Presim nga mësimdhënësit të jenë të gatshëm të kryejnë detyrën e tyre dhe të ofrojnë mësimdhënien për të gjithë nxënësit”, ka shkruar tutje ajo.

E para e Arsimit në vend ka thënë se është obligim i Komunës që të hartojë dhe dorëzojë raportet e detajuara, në rast se dikush punon mbinormë.

Ajo po ashtu ka thënë se askush nuk mund t’i pengojë mësimdhënësit gjatë procesit mësimor, e as t’i penalizojë për punën që ata e kryejnë.

“Pasojat e humbjes së mësimit për nxënësit fatkeqësisht janë evidente dhe të shumëfishta. Angazhimi i të gjithë neve, secili vendim e veprim duhet të jetë në interesin më të mirë të fëmijëve”, ka përfunduar ajo.

Kujtojmë që këta 441 nxënës nuk janë duke i vijuar mësimet që nga 2 shkurti i vitit 2019, kur Komuna e Kamenicës mori vendim për mbylljen e këtyre shkollave./Gazeta Sinjali/