image Naftëtarët nuk pajtohen me marzhën tregtare

Kosovë

Naftëtarët nuk pajtohen me marzhën tregtare

news image

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës nuk po pajtohet me vendimin e Qeverisë së Kosovës për caktimin e çmimeve shitëse maksimale tregtare me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës.

Qeveria e Kosovës më 2 shkurt, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës, ka caktuar marzhën tregtare.

Ky vendim përcakton që te shitësit me shumicë, marzha më e lartë tregtare të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.

Vendimi i Qeverisë hyn në fuqi më 3 mars dhe do të jetë në fuqi deri më 31 maj 2022.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë se ky vendim vë në rrezik mbijetesën e bizneseve në këtë sektor.

“Vendimi i Qeverisë nuk është adekuat nuk është i përshtatshëm për bizneset. Një pikë karburanti nuk mund t’i mbijetojë krizës. Ne e kuptojmë se çfarë situate ekonomike është në Kosovë”, thotë Berjani.

“Çmimet e derivateve janë të larta për qytetarët, por kjo është duke ndodhur në tërë botën”, shton ai.

Ai kërkon që së paku te shitësit me pakicë, marzha tregtare të jetë më e lartë.

“Nga 6 centë duhet të rritet në 12 centë, në të kundërtën bizneset në këtë sektor nuk mund të mbijetojnë”, thotë Berjani.

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit.

Kompanitë që furnizojnë me naftë në Kosovë, më 1 mars këtë derivat me shumicë, thotë Berjani, e kanë blerë me 1.33 euro për litër.

“Brenda ditëve ky çmim do të rritet edhe më shumë”, thotë Berjani.

Më 2 mars, në Kosovë një litër naftë është shitur për 1.43 euro, ndërkaq benzina për 1.44 euro, raporton REL.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës po ashtu obligohen të gjitha depozitat dhe pikat e shitjes së naftës të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 për qind të kapaciteteve të tyre deponuese, për qëllime të rezervave emergjente.

/GazetaSinjali/