Më 16 gusht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur afatin për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale. Dy ditë para se të mbyllej ky afat, të shtunën, Lëvizja Vetëvendosje do ta zyrtarizonte kandidimin e Faik Tofaj të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për kryetar të Junikut, nëse ky i fundit nuk do të tërhiqej “për shkaqe sigurie”, shkruan Gazeta Sinjali.
Nënkryetari aktual i Komunës së Junikut dhe degës së AAK-së në këtë komunë, Faik Tofaj, kishte nisur bisedimet me LVV-në që të kandidojë nga radhët e kësaj partie për kryetar të Junikut në zgjedhjet e 17 tetorit.
Për ta zyrtarizuar kandidaturën e tij nga radhët e LVV-së, ai kishte caktuar takim me kreun e kësaj partie, kryeministrin, Albin Kurti, këtë të shtunë, në orën 14:30.
Marrëveshja për kandidimin e tij mes Tofajt dhe Kurtit ishte arritur të mërkurën dhe zyrtarizimi do të bëhej të shtunën, nëse Faik Tofaj, nuk do “të kishte pranuar mesazhe kërcënuese”.
Koordinatori i VV-së, dega në Junik, Lulzim Gacaferi, tha për Sinjalin se një orë e 15 minuta para takimit me Kurtin, derisa po drekonin në një restorant afër objektit të qeverisë, Tofaj u ka thënë se duhet të tërhiqet nga marrëveshja, pasi që është kërcënuar me familje.
“Ishim në një restorant pranë qeverisë, aty afër, ishim duke drekuar dhe Faiku më kërkoi që të dalim jashtë. Kur dolëm më tha ‘Lul, jam i kërcënuar’, i thash ‘nga kush je i kërcënuar’, tha ‘jam i kërcënuar me familje dhe duhet me u tërhek, familja është mbi të gjitha’. Kryeministri ka qenë në (përmend emrin e një televizioni) dhe ka ardhë në orën 14:30, kur është planifiku takimi“, tha ai.
Gacaferri tha se dy ditë para këtij rasti, Tofaj ishte takuar edhe me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili i kishte kërkuar që të tërhiqej, në mënyrë që, sipas tij, “të mos e dëmtojë Aleancën”.
“Faiki ishte takuar dy ditë më herët me kryeministrin dhe pastaj më mori në telefon dhe më tha ‘Ki përshëndetje nga kryeministri. Do të takohemi sërish të shtunën dhe kryeministri ka dëshirë që të jeni edhe ju prezent. Unë jetoj në Gjermani dhe erdha enkas për zyrtarizimin e tij, por kërcënimin që e mori ai aty, gjithçka devijoi. Faktikisht, ai e kishte edhe një takim, një ditë më herët, të premten, me kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosajn, edhe aty e ka marrë një mesazh. Çka kanë fol mes vete, unë nuk e di, se nuk kam qenë në tavolinën e tyre, por Faiku ishte në tavolinën tonë në mbrëmje, ishim rreth 15 veta dhe e ftoi ai, dolën në një tavolinë tjetër. Çka kanë bisedu, nuk e di, se nuk kam qenë prezent. Pas atij takimi, unë e kam pyet, a të kërcënuan, tha ‘jo, kërcënim nuk muj me thanë, por kërkoi nga unë që të tërhiqem, që të mos e dëmtojë Aleancën, e kështu më radhë'”, tha Gacaferri.
Se ka marrë kërcënime për t’u tërhequr nga gara, Tofaj i kishte thënë edhe Afrim Hoxhës.
Hoxha tha për Sinjalin se Tofaj kishte hequr dorë nga marrëveshja dhe kandidimi, “për shkaqe sigurie”.
“Ai u tërhekë dhe na ka thanë që ka pasë kërcënime, mirëpo, unë nuk jam në dijeni që ai ka pasë kërcënime apo nuk ka pasë. Veç neve na ka thënë në mënyrë gojore. Na kemi pasë bisedime, ai e ka pranuar ofertën tonë, të Lëvizjes Vetëvendosje, pastaj është tërhekë, për shkaqe të sigurisë. Na kemi qenë në restorant, po atë ditë në orën 14:30 kemi pasë me u taku me kryeministrin, në orën 13:15, ka thënë se ka pranu një mesazh kërcënues , a ka qenë mesazh kërcënues? Ashtu na ka thënë. Unë nuk kam dijeni më tepër. Ai na ka thënë ‘për shkaqe sigurie, unë tërhekem’. Në orën 13:15 është tërhek, për shkaqe të sigurisë na ka thënë”, tha Hoxha.
Mirëpo, këtë gjë po e mohon vetë Tofaj. Në një prononcim për Gazetën Sinjali, nënkryetari i Komunës së Junikut nga radhët e AAK-së tha se nuk ka pranuar asnjë kërcënim. Ai e pranoi se ka qenë në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje që të kandidojë për kryetar të komunës në listën e këtij subjekti politik, por është tërhequr nga kjo garë me kërkesë të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Jo, jo nuk është e vërtetë, nuk kam pranuar asnjë kërcënim. Jo, jo, nuk kam pranuar asnjë lloj kërcënimi. Jo, jo, jo, nuk është e vërtetë. Po, është e vërtetë (që kam qenë në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje), por me kërkesë të zotit (Ramush) Haradinaj jam tërheq prej atij procesi dhe do të vazhdojë punën përsëri në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës . Unë e kam pranuar kërkesën e tij, për shkak të kontributit, bashkëpunimit shumëvjeçar që kemi pasur, kaq ka, nuk ka diçka tjetër. Jo, jo, jo as që bëhet fjalë, asnjëherë nuk jam ndi i kërcënuar, nuk bëhet fjalë për atë punë”, përfundoi Tofaj.
Gazeta Sinjali ka informacione se kryeministri Kurti ka njoftuar edhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për këtë rast./Gazeta Sinjali/