Reshjet e dendura të borës të ditës së shtunë në pothuajse tërë rajonin e Republikës së Kosovës që pos asaj tërë dite, vazhduan edhe të dielën ku u përcollën edhe me erëra të fuqishme, shkaktuan dëme të shumta në shtylla dhe në përçues elektrikë, sidomos në fshatra, raporton Gazeta Sinjali.
Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) doli me njoftim, ku bëri të ditur se në disa komuna janë dëmtuar shtyllat dhe përçuesit elektrike, kështu duke bërë që shumë shtëpi të mesin pa shërbim energjetik. KEDS në këtë njoftim gjithashtu tha se ekipet e tyre gjenden në terren dhe po punojnë pandërprerë që ta rikthejnë furnizimin me energji elektrike.
Por, për të rregulluar këto dëme ekipet e KEDS-it nuk po shkojnë edhe në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit. Të paktën kështu bën të ditur sinjalizuesi i Gazetës Sinjali, i cili thotë se që nga e shtuna janë pa energji elektrike pasi KEDS-i nuk po vepron atë vendbanim për rregullimin e këtyre dëmeve.
“Trafo është prishur, nuk dalin hiç me na e rregullu. Na kanë lënë në terr qe tri-katër ditë…prej të shtunës. E kemi njoftu [KEDS-in] non-stop, por nuk po dalin, hiç nuk interesohen. Po përgjigjën, thonë kemi me dalë, por s’dalin hiç, për shkak se edhe moti është i keq nuk dali”, tha për Sinjalin njëri nga 2 mijë banorët e këtij fshati.