image Mytaher Haskuka për shtatoren e Skënderbeut: Ai është origjinali dhe jo kopje

Kosovë

Mytaher Haskuka për shtatoren e Skënderbeut: Ai është origjinali dhe jo kopje

news image

Shtatoret e Adem Jasharit dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeut që u vendosen më 28 nëntor në Prizren kanë shkaktuar debate të shumta, shkruan Gazeta Sinjali.

E në lidhje me këtë, ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili thotë se nuk mban përgjegjësi për statujën e Adem Jasharit, pasi ajo është vendosur në një biznes privat, ndërsa për statujën e Skënderbeut, ai tha se është vendosur nga një donacion i diasporës.

Sipas tij, monumenti i realizuar është ai origjinali dhe jo kopje, duke shtuar se shtatorja e Adem Jasharit është vendosur nga një biznes privat dhe ne nuk kemi pasur dijeni.

“Për Skënderbeun Komuna e Prizrenit ka kaluar një kërkesë të një fushate nga diaspora, ne kemi siguruar vendin, piedestalin dhe maketën. Adem Jasharin nuk e kam parë dhe nuk kam pasur dijeni. Skënderbeu është një punim origjinal, ndryshe, nga autorët dhe shoqata jam informuar se është një version i versionit të ri, e jo siç e kemi parë tek të tjerët që është i moshuar”, tha Haskuka në Top Channel.

Ai tha se tek monumenti që e ka parë në rrjete sociale për Adem Jasharin, ka probleme në proporcione, por sipas tij, prapë se prapë janë shprehje artistike që ata mund të shprehen, kurse në aspektin e artit dhe të shtatoreve nuk ka dijeni.

“Ajo e Skënderbeut është origjinale dhe jo kopje. Njëtrajtësimi dhe shprehja e vetëm një figure e Skënderbeut nuk është diçka që të gjithë duhet të bëjnë. Ka interpretime të ndryshme për Skënderbeun. Nuk pajtohem, sepse skulptura në fjalë nuk është në atë nivel, por unë kam parë në media sociale që janë disa deformime, nëpërmjet programeve kompjuterike”.

“Unë kam parë fotografi të tilla që qarkullojnë në rrjete. Këto janë për të krijuar debat. Edhe unë kam mendime kritike por në përgjithësi nuk është ashtu siç është paraqitur në media. Është shprehja e artistit dhe ne jemi falënderues për atë që kanë bërë”, përfundoi Haskuka.

/Gazeta Sinjali/