Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka ironizuar me deklaratën e ministrit në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, i cili tha se gjatë pandemisë në Kosovë papunësia është zvogëluar për 6.6%, shkruan Gazeta Sinjali.
Mustafa tha se atij i janë përzier telat diku dhe se me këtë teori mund të fitojë ndonjë çmim Nobel për ekonomi. Kreu i LDK-së tha se rritja e punësimit nuk mund të ndodhë kur nuk punojnë qytetarët. Në kohë të pandemisë thotë se nuk ka ndodhë askund në botë që të ketë rritje të shkallës së punësimit e as në Kosovë thotë se nuk mund të ndodhë.
“Si teori, nëse mundet me e zhvillu zoti Bislimi, mendoj se do ta fitonte çmimin Nobel, nëse ai mund ta shtjellojë dhe ta arsyetojë këtë si teori ekonomike. Nuk ka ndodhë askund, s’mund të ndodhë as tek ne. Diku i janë përzi telat zotit Bislimit, sepse ai prej që e njoh, prej që kemi filluar bisedat për koalcionin, e kemi bërë marrëveshjen, gjithmonë është ardhë me disa të dhëna me disa shënime, që është munduar ta ngris lart Vetëvendosjen edhe vetveten. Mirëpo, unë mendoj që është një interpretim i gabuar, nuk du ta cilësoj ndryshe. Është për konsull të përkohshëm politik, por as Kosova dhe asnjë vend tjetër nuk ka arritë që ta rrit punësimin, sepse nuk mund të rritet punësimi kur njerëzit nuk punojnë”, tha ai.
I pyetur se a mund ta ketë bërë me qëllim të përfitim politik këtë deklaratë, Mustafa tha se Bislimi e ka bërë për këtë qëllim deklaratën, por se do të tërhiqet nga kjo teori.
“Sigurisht që po. Mirëpo, është e gabueshme sepse nuk mund të përfitohet polititikisht, të themi me një konstatim që bash kurrkush nuk ia pranon. Unë nuk kam parë asnjë njeri ose asnjë koment a analizë që deri më sot që ka thënë se doli e saktë ajo që zoti Bislimi e tha. Unë mendoj që edhe zoti Bislmi do të tërhiqet nga kjo teoremë e tij, por nëse mund ta zhvillojë atëherë mund të fitojë një çmim të lart, për një koncept të ri ekonomik që në kohën e krizave, tragjedisë ose sëmundjeve mund të rritet punësimi”, tha Mustafa në RTV21./Gazeta Sinjali/