image Mustafi demanton Kovaçeviqin: Në Luginë janë mbi 96 mijë shqiptarë jo 62 mijë

Rajon

Mustafi demanton Kovaçeviqin: Në Luginë janë mbi 96 mijë shqiptarë jo 62 mijë

news image

Pas publikimit të dhënave preliminare të regjistrimit të popullsisë të realizuar në muajin tetor 2022 nga Enti Republikan i Statistikave të Serbisë, ka reaguar kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi Ragmi Mustafi.

Sipas tij në Luginën e Preshevës totali i personave të regjistruar është 123.852, përderisa totali numrit të banorëve 84.169 në një diferencë prej 39.683. Ndërkaq, diferenca e personave të regjistruar me numrin e banorëve në nivel të Serbisë është 178.617 për të cilët do duhej të konsiderohen banorë jo rezidentë.

“Është shqetësues fakti që vetëm në Komunën e Preshevës është 25.471, Bujanoci 12.050 dhe Medvegjës 2.162. Apo Lugina e Preshevës është mbi 22% në nivel të Serbisë”, tha Mustafi.

Kryetari I KKSh-së tha se fakti tjetër shumë interesant që në nivel të rrethit Pçinjës, Presheva dhe Bujanoci përbëjnë rreth 40% të popullsisë.

Më tej ai theksoi se ndonëse, ende nuk është publikuar raporti i plotë edhe me të dhënat etno kulturore ku është përfshirë përkatësia: kombëtare, fetare dhe gjuha amtare.

Mustafi tha se megjithatë, sipas vlerësimeve nga të dhënat e komisioneve lokale për regjistrimin e popullsisë duke kalkuluar sipas vendbanimeve të pastra shqiptare, të përziera dhe atyre jo shqiptare japin këto rezultate.

Ai tha se në Komunën e Preshevës janë regjistruar gjithsej 60.568 qytetarë, prej të cilëve rreth 57.000 jetojnë në vendbanimet shqiptare, ndërsa 649 në zonat jo shqiptare.  Në vendbanimet e përziera përfshirë edhe qytetin Preshevës vlerësohet të jenë rreth 2.372 qytetar jo shqiptar.

Sipas tij në Komunën e Bujanocit janë regjistruar gjithsej 54.684 qytetarë, prej të cilëve 30.712 jetojnë në vendbanimet shqiptare, ndërsa 7.632 në zonat jo shqiptare.  Në vendbanimet e përziera përfshirë edhe në qytetin e Bujanocit janë regjistruar 16.340 qytetarë llogaritet mbi 7.000 shqiptar.

Kryetari i KKSH-së njofton se në Komunën e Medvegjës janë regjistruar gjithsej 8. 600 qytetarë, prej të cilëve 1.247 jetojnë në vendbanimet ku jetojnë vetëm shqiptarë, ndërsa 2.522 në zonat jo shqiptare.  Në vendbanimet e përziera përfshirë edhe qytetin e Medvegjës janë regjistruar 4.831 qytetarë dhe llogaritet jenë rreth 1.400 shqiptar.

“Sipas këtyre kalkulimeve në Luginën e Preshevës llogaritet të jenë mbi 96 mijë qytetarë shqiptarë, deri sa priten edhe të dhënat në komunat gjetiu në Serbi”, tha Mustafi.

Ai shtoi se, sipas deklaratave të drejtorit Entit Republikan të Statistikave Miladin Kovaçeviq në Luginën e Preshevës janë nga 60 mijë deri 62 mijë shqiptarë.

“Atëherë si ka mundësi vetëm tek komuniteti shqiptarë që përbëjnë 1.2%, banorë jo rezident të jenë mbi 22% në nivel të Serbisë. Apo, nuk dua të besojë se keni vepruar sipas diktatit të Presidentit Vuçiq i cili me 26 tetor deklaroi se “pas regjistrimit, i cili është në vazhdim, nuk do të dihet më numri i saktë i shqiptarëve në Serbi, sepse shumë familje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë regjistrojnë anëtarë që nuk jetojnë në Serbisë”, tha Mustafi.

Kreu i KKSh-së, shtoi se megjithatë, kurrë më nuk do të jenë 5.809 shqiptar në Serbi, apo 1.118 shqiptar në Luginë sipas statistikave zyrtare të vitit 2011.

Ai edhe njëherë, fton bashkësinë ndërkombëtare të monitorojë dhe të mos lejojë shtrembërimin e shifrave në përfundim të procesit regjistrimit popullsisë, përkatësisht përpunimit të dhënave sepse diskriminimi fillon me numrat.

/GazetaSinjali/