image Shqiptarët në Luginë ende pa marrëveshje për udhëheqjen e KKSh-së

Rajon

Shqiptarët në Luginë ende pa marrëveshje për udhëheqjen e KKSh-së

news image

Shqiptarët në Serbi me 13 nëntor të këtij viti kanë votuar për anëtarë të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, në të cilin kanë pas të drejtë vote rreth 36 mijë shqiptarë të regjistruar në listën e posaçme zgjedhore.

Partia për Veprim Demokratik kishte dalë fituese e zgjedhjeve, por akoma nuk është arritur marrëveshje për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Kryetari aktual i KKSh-së Ragmi Mustafi, ka theksuar për Sinjalin se prapë do të jetë në këtë pozitë pasi PVD-ja ka dalë fituese e zgjedhjeve.

Kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi njëherit edhe kryetar i Partisë Demokratike në Bujanoc, parti kjo që në zgjedhjet e fundit lokale doli e para, edhe përkundë thirrjeve nuk mundem të marrin deklaratë.

Derisa ditë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri “bashkë” thuajse të gjithë përfaqësuesit shqiptar e politik të Luginës.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik njëherit  deputet i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë,  Shaip Kamberi ka thënë se edhe pse pas disa raundesh bisedimesh nuk kanë marrëveshje për përbërjen e re të udhëheqjes së Këshillit Kombëtar.

Më tej ai ka theksuar se Partia për Veprim Demokratik do të vazhdojë konsultimet për të ndërtuar një koalicion bashkëqeverisës në këto momente të rëndësishme për Luginën e Preshevës dhe rajonin.

“PVD insiston në respektimin e parimit elementar të demokracisë, respektimin e fituesit të zgjedhjeve.  Në të njëjtën kohë, PVD insiston që rruga e cila duhet të ndiqet është ajo e koordinimit me Prishtinën dhe Tiranën”, tha Kamberi.

Kamberi, tha më tej se për PVD-në janë shqetësuese tentativat e ndërhyrjes jashtë institucionale, duke përdorur metoda shantazhi e kërcënimi ndaj këshilltarëve komunal, sidomos ndaj këshilltarit të PVD-së, për ta kushtëzuar ekzistencën e pushtetit komunal në Bujanoc me ndërtimin e një koalicioni tjetër për KKSH.

Deputeti theksoi se mjerisht në mesin e këtyre ndërhyrësve janë edhe figura institucionale nga Bujanoci ndaj të cilëve qeverisja komunale në Bujanoc duhet të reagojë në mënyrë urgjente dhe institucionale, për t’ja ndërprerë hovin destabilizues.

“Ndaj gjithë këtyre metodave të ndërhyrjeve me kërcënime, PVD do të reagojë duke përdorur forcën e ligjit dhe duke alarmuar këtë rast edhe te faktorët relevant”, tha Kamberi.

Kryetari i PVD-së  zotohet se vazhdon të mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjes për bashkëqeverisje me Bujanocin të arritur në Tiranë dhe nuk do t’i nënshtrohet asnjë metode klandestine e banditeske nga faktorët jorelevant jashtëinstitucional të cilët përshkak të përfitimeve personale po tentojnë ta destabilizojnë Bujanocin.

Sipas deputetit shqiptar në Parlamneitn e Serbisë,  nuk ka e nuk do të ketë individ të cilët do të mund të rrënojnë të arriturat politike që janë rezultat i përfshirjes së Tiranës e Prishtinës zyrtare.

“Për në, agjendën e bashkëkoordinimit me Prishtinën e Tiranën mbetet mbi të gjitha. Palaçot dhe profiterët politik mbi kurrizin e qytetarëve të Luginës së Preshevës do të ndiqen me të gjitha mjetet institucionale. PVD nuk shitet, nuk blihet, nuk shantazhohet. PVD nuk frikësohet as nga individët e as nga strukturat banditeske që dojnë ta bëjnë ligjin në Luginë të Preshevës”, tha kryetari i Partisë për Veprim Demokratik Shaip Kamberi.

/GazetaSinjali/