image Mustafa: Veriu është territor i Kosovës, ndërhyjmë kur të duam

Kosovë

Deklaratë/ Mustafa: Veriu është territor i Kosovës, ndërhyjmë kur të duam

news image

“Policia e Kosovës me punën e saj ka bërë që të ulet dukshëm kontrabanda në veri të vendit. Policia ka arritur që veprat penale vetëm këtë vit t’i ulë në 20 për qind”, kështu tha ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, në një intervistë për Ekonomia Online.

“Policia e Kosovës ka qasje të mirë në veri, kontrabandë nuk ka sikurse ka pasë më herët sepse nuk mund të eliminohet as te ne as në krejt botën, por duhet t’i minimizojmë këto dukuri negative. Kosova dhe Policia ka arrit që brenda këtij viti t’i ulë të gjitha veprat penale dhe keqpërdorimet mbi 20 për qind, duke filluar nga veprat penale, aksidentet në komunikacion, plaçkitjet me armë. Prej shkurtit deri këtë javë që shkoi nuk kemi pasë asnjë plaçkitje të bankave”, tha Mustafa.

Duke folur për sigurinë në këtë pjesë të Kosovës dhe ndërhyrjet e policisë atje si dhe reagimet e krerëve serb, Mustafa thotë se ai territor është i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk mund të jap urdhër se kur Policia e Kosovës mund të hyjë atje.

“Aksioni në veri nuk ka qenë ndërhyrje në një territor jashtë Kosovës, ai ka qenë shtim forcash policore në një regjion ku kontrollohet nga forcat policore të Kosovës. Aty ka qenë një aksion kundër pjesëtarëve të cilët kanë shkelë detyrat zyrtare sidomos zyrtarëve të policisë të cilët kanë bërë keqpërdorime në detyrën tyre zyrtare. Ne nuk mund t’i japim urdhër Vuçiqit se kur të ndërhyjë në një territor të vetin, as Vuçiqi nuk mund të jap urdhër kur duhet të ndërhyjmë në territorin tonë. Ai është territor sovran i Kosovës dhe ne duhet ta mbajmë rregullin dhe ligjin në atë territor të Kosovës”.

Ministri Mustafa tha se Policia e Kosovës tani po prodhon siguri në rajon ngase po i përgjigjet të gjithë mekanizmave të sigurisë botërore dhe regjionale.

“Policia e Kosovës një kohë të gjatë ka qenë konsumues i sigurisë në regjion, tani e tutje po prodhon siguri në regjion dhe me të madhe po i përgjigjet të gjitha mekanizmave të sigurisë botërore dhe regjionale. Ne si institucion i sigurisë së Kosovës kemi bë marrëveshje me disa shtete në regjion siç është Shqipëria, Mali i Zi, kemi bashkëpunim me Maqedoninë, përpos me fqiun verior që s’kemi bashkëpunim. Policia e Kosovës edhepse nuk është e anëtarësuar në mekanizmat siç është Interpoli edhe Europoli, ne i kemi zyret ndërlidhëse ku i marrim informacionet për çdo individ pa marrë parasysh a jemi të anëtarësuar”.

Edhepse sipas tij Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të qenë anëtar i Interpolit dhe Europolit thotë se një gjë e tillë nuk po ndodh për shkak se edhe këto institucione janë politizuar.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për të qenë anëtar të Interpolit dhe Europolit. Europoli është një mekanizëm që pa u anëtarësuar në Bashkësinë Evropiane nuk mund të anëtarësohesh. Në Interpol ne kemi pasur mundësi të anëtarësohemi edhe vitin e kaluar, edhe më herët sepse policia e Kosovës dhe institucionet tona i kanë përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim, por fatkeqësisht është politizuar ky institucion”.

Me ardhjen e tij në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Mustafa thotë se ka arritur që një tender nga 1 milionë e 200 mijë euro ta kthejë në 400 e 18 mijë euro.

“Sukseset më të mëdha janë statistikat. MPB-ja ka bërë riorganizimin e ministrisë dhe organogramin e ri i cili është në përpilim e sipër në bashkëpunim me ndërkombëtarët. MPB-ja është një institucion që është krijuar. MPB-ja ka arrit që gjatë këtij viti të thithë donacione të mëdha, të arrijë të kursejë paranë publike dhe të menaxhojë atë, kemi arrit që një tender nga 1 milion e 200 mijë euro ta kthejmë në 400 e 18 mijë euro”, tha ai.

E, duke folur për udhëzimin administrativ për lehtësimin e procedurave për leje qëndrimi i cili u mor ditë më parë, Mustafa thotë se ka qenë obligim i Qeverisë së Kosovës që të kryhej shumë më herët Ai thotë se tani e tutje personat të cilët kanë leje qëndrimi 5 vjeçar, kanë të drejtë shkollimi dhe kanë të drejtë që të kenë dokumente identifikimi të Kosovës. Përpos këtyre, të gjithë ata persona kanë të drejtë të hapin biznese në Kosovë./EO/